Botë

Netanjahu: Armëpushimi në faza, joreal

15.03.2024 10:59

Kryeministri izraelit Netanjahu nuk e pranon propozimin e Hamasit për lirimin e pengjeve...

Hamasi paraqiti një propozim për armëpushim në Gazë, i cili përfshin një fazë fillestare të lirimit të grave, fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve izraelitë të mbajtur peng në këmbim të lirimit të 700-1.000 të burgosurve palestinezë. Mirëpo, kryeministri izraelit, Netanjahu, nuk e pranon propozimin e Hamasit për lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë. Vizioni i grupit militant për një armëpushim në disa faza, sipas kabinetit izraelit, përbëhet nga kërkesa joreale.
 
ShBA: Nuk duam sulme të reja në Rafah
 
Ndërkohë, kritikat nga Uashingtoni për veprimet e Tel Avivit në Rripin e Gazës po bëhen më të forta. Shtëpia e Bardhë thotë se nuk duan operacione në Rafah dhe zhvendosjen e 1.4 milionë palestinezëve. 
 
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar, nuk duam të ketë sulme të reja në Rafah, vetëm nëse nuk ka ndonjë plan të caktuar strategjik se si mos të preken dhe të ruhen civilët.”. 
 
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Çak Shumer, bëri thirrje sërish për zgjedhje në Izrael dhe tha se kryeministri Netanjahu është një pengesë për paqen në rajon.
 
“Si përkrahës i përjetshëm i Izraelit, e kuptoj që koalicioni me Netanjahun nuk korrespondon me nevojat e Izraelit.”, - deklaroi udhëheqësi i shumicës në Senat, Çak Shumer.
 
Ndërkohë, Ministria palestineze e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi, thotë se numri i masakrës së re të civilëve që prisnin ndihma humanitare mbrëmë në qytetin e Gazës është rritur në 21 të vdekur dhe të paktën 150 të plagosur. Burimet lokale raportojnë se bombardimet ajrore dhe zjarri i artilerisë goditën një turmë qytetarësh që prisnin ushqim dhe ndihma për të mbërritur pranë rrethrrotullimit të Kuvajtit, në qytetin kryesor të Rripit. Por, zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Aviçaj Adrae, mohon një gjë të tillë, se trupat e shtetit hebraik të kenë hapur zjarr dje mbi njerëzit që prisnin ndihmë në qytetin e Gazës. Ndërkohë, anija që u nis nga Qiproja të martën me 200 ton ndihma për palestinezët ndodhet afër Gazës. Programi pilot për hapjen e një korridori detar në enklavën e pushtuar pritet të zbusë krizën humanitare.
 
FITORE DEMOLLI