Konflikti Izrael-Hamas, Hamasi kundërshton vendimin e Abasit
16.03.2024 19:50
Pavarësisht kundërshtimit të fortë...

Pavarësisht kundërshtimit të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, kryeministri Netanyahu nuk u tërhoq, duke miratuar planin operacional të Forcave të Mbrojtjes izraelite për të sulmuar Rafahun, strehën e fundit për mbi një milion palestinezë të zhvendosur brenda vendit.
Ai dërgoi një delegacion në Katar, ku po zhvillohen bisedimet për armëpushimin, por hodhi poshtë kategorikisht propozimin e Hamasit për një shkëmbim të pengjeve me të burgosurit.
Uashingtoni e paralajmëroi Netanyahun që të mos nisë një ofensivë në Rafah pa një plan të besueshëm për të mbrojtur banorët e Gazës.
"Ne nuk mund të mbështesim një ofensivë të madhe në Rafah ndërsa shqetësohemi për sigurinë e më shumë se një milion banorëve të Gazës që kërkojnë strehim në Rafah." “Ne do të vazhdojmë të bisedojmë me izraelitët për këtë, nëse ata e kanë atë plan, sigurisht që do ta mirëpresim mundësinë për ta parë atë”. - tha Zëdhënësi i Këshillit për Siguri të SHBA-ve, Xhon Kirbi.
“Kishte një kundërpropozim të paraqitur nga Hamasi. Nuk mund të jap detaje, por ajo që mund t'ju them është se ne po punojmë intensivisht me Izraelin, me Katarin, me Egjiptin për të kapërcyer boshllëqet e mbetura dhe për të arritur një marrëveshje". - u shpreh Sekretari amerikan i shtetit, Antoni Bllinken.
Derisa kriza humanitare në Rripin e Gazës thellohet, dhe popullsia civile lufton çdo ditë me urinë dhe kushtet e këqija të jetesës, kemi mosmarrëveshje dhe grindje midis udhëheqësve palestinezë.
Grupi islamik Hamas ka kundërshtuar me forcë vendimin e presidentit Abbas për të emëruar bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Mohammed Mustafa si kryeministër të ri, me një mandat për të ndihmuar në reformimin e Autoritetit Palestinez dhe rindërtimin e Gazës.
Grupi islamik pretendon se vendimi është marrë pa konsultimin e tyre, pavarësisht një takimi të fundit në Moskë të organizuar për t'i dhënë fund ndarjes midis fraksioneve palestineze.
Për Hamasin, marrja e vendimeve individuale pa konsensus kombëtar thellon ndarjen e popullit palestinez. Fatah u kundërpërgjigj - duke fajësuar Hamasin për situatën në Gaza pas vendimit të tyre të njëanshëm për të sulmuar Izraelin më 7 tetor.
