MASH: Bojkot i pjesshëm i mësimit nga Plenumi i Nxënësve
Disa shkolla të mesme në Qytetin e Shkupit dhe dy shkolla në Kumanovë kanë filluar bojkotimin e mësimit, përderisa ministria nuk shqyrton kërkesat e tyre për anulimin e testimit ekstern dhe kthimin e konceptit të vjetër të maturës shtetërore...

Ndërkohë, në bazë të të dhënave që posedon MASh-i bëhet fjalë për bojkot të pjesshëm, andaj ftohen nxënësit që të mos e bojkotojnë mësimin. Sipas ministrit Ademi, takim me nxënësit do të ketë, po ai nuk do të varet nga forma e sjelljes së nxënësve.
“Do të kisha apeluar të kthehen në mësim, sepse ne do të takohemi dhe takimi nuk do të varet as nga forma e sjelljes së tyre, por sigurisht do të varet nga agjenda të cilën ne do të duhet ta harmonizojmë”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ministri i Arsimit i bëri ftesë edhe avokatit të popullit që të shpreh qëndrimin e tij për mbrojtje të nxënësve nga keqpërdorimet politike. Sipas tij, duke pasur parasysh faktin që nxënësit janë të mitur, të mos përdoren për qëllime politike apo qëllime tjera.
“Derisa dikush i nxit për të bërë bojkot, sigurisht që ajo është keqpërdorim dhe në këtë aspekt unë e thashë dhe shpresoj që kjo të ndërpritet dhe të mos përsëritet në të ardhmen”- tha Ademi.
Nga Plenumi i Nxënësve bëjnë të ditur se me bojkot nuk nënkuptohet të mos shkohet në shkollë, por prania e nxënësve gjatë notimit dhe testeve do të jetë zgjedhje e lirë. Këto komente u dhanë me rastin e ofrimit të mundësive për përforcimin e kapaciteteve shkencore dhe hulumtuese në vend me ndihmën e projekteve “Erasmus Kost” dhe “Horizont 20 20”. (Flutura Latifi, TVM2)
