Maqedoni
Sindikata e postave, në protestë, kërkojnë pagat e vonuara dhe kushte më të mira
18.03.2024 13:47
Organizatat sindikale të Postës së Maqedonisë kanë mbajtur protestë dyorëshe para drejtorisë duke shprehur revoltën...

Organizatat sindikale të Postës së Maqedonisë kanë mbajtur protestë dyorëshe para drejtorisë duke shprehur revoltën e tyre për mosmarrjen e rrogës për muajin e kaluar. Përveç pagesës së pagës kërkojnë edhe të merren masa urgjente për reforma dhe riorganizim të ndërmarrjes. Ata alarmojnë edhe për situatën e vështirë financiare në të cilën gjendet kjo ndërmarrje.
“Punëdhënësi edhe pse ka obligim ligjor që të paguajë pagën në afatin e caktuar, edhe sot nuk e ka realizuar këtë obligim. Me këtë udhëheqësia ka bërë shkelje të së drejtës elementare të punëtorit për pagesën e pagës. Duke e pasur parasysh gjendjen e keqe financiare të kësaj ndërmarrjeje, revolta tek punëtorët është edhe me e madhe nga frika se në periudhën e ardhshme nuk do të ketë pagesë të rregullt të rrogës.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së Postës, Boro Veligdenov.
Kriza financiare në Postën e Maqedonisë është rezultat i organizimit të dobët, potencojnë nga sindikata, ku me vite është bërë shpërndarje joproduktive e punëtorëve, ndërsa tani po përballen edhe me mungesë të punëtorëve aty ku ka më së tepërmi nevojë.
“Mungojnë postierë, punonjës në sportele, por nga ana tjetër kemi administratë të stërngarkuar dhe shefa. Kemi ardhur në një situatë ku kemi një shef për një punëtor, si dhe po ballafaqohemi me kushte tejet të këqija të punës.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së Postës, Boro Veligdenov.
Sindikata i bëri thirrje Qeverisë së bashku me menaxhmentin e ndërmarrjes që menjëherë dhe pa vonesë të sigurojnë mjete financiare për paga, në të kundërtën kanë paralajmëruar se do të nisin procedurë për grevë, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
GAZMEND KURISHI
