Botë

Njëvjetori i marrëveshjes së Ohrit, Borrell: Vazhdon presioni për të ecur para

18.03.2024 14:10

Kosova dhe Serbia kanë arritur progres shumë të kufizuar, vlerëson përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian...

Kosova dhe Serbia kanë arritur progres shumë të kufizuar, vlerëson përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në njëvjetorin e marrëveshjes së Ohrit, që u arrit më 18 mars të vitit të kaluar. 

“Koha ikën dhe tashmë është një vit që kemi arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ecur drejt normalizimit. Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur progres shumë të kufizuar. Së shpejti do të jetë takimi vjetor i kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje e cila ishte shumë e vështirë për t'u arritur, nuk është zbatuar. Do të vazhdohet me presion ndaj të dyja palëve për të ecur përpara. Por një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa prisja të ishte.”, ka vlerësuar shefi i diplomacisë evropiane, Borrell. 
 
Implementimi i marrëveshjes së Ohrit, Rama: Kusht për rrugën evropiane e të dy vendeve
 
Ndërkohë kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes një postimi në Tuiter ka vlerësuar se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e saj Zbatues, është me rëndësi për të siguruar stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor.
 
“Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në. Dhe status quo-ja e këtij çelësi strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben vetë sigurisë së Evropës.”, shkruan Rama në Tuiter. 
 
Ndërsa siç është bërë e ditur, të martën në Bruksel do të mbahet takimi i radhës ndërmjet negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, ku mes tjerash do të diskutohet edhe çështja e dinarit serb.
 
GYLTENE SINANI