Botë

Gazë, Izraeli sulmon spitalin “Al-Shifa”, rrezikohet uri e përgjithshme e popullatës

18.03.2024 14:30

Situata në Gazë vazhdon të jetë e tensionuar dhe konfliktuoze....

Situata në Gazë vazhdon të jetë e tensionuar dhe konfliktuoze. Forcat izraelite kanë kryer një bastisje gjatë natës në spitalin “Al-Shifa” në qytetin e Gazës, ku është raportuar për tanke dhe të shtëna të fuqishme. Civilë të zhvendosur, pacientë të lënduar dhe personel mjekësor të bllokuar brenda kompleksit mjekësor. Izraeli njofton për marrje në kontroll spitalin në fjalë, për të cilin pretendojnë se Hamasi po e përdorte për të nisur sulmet të reja.
 
“Armata e Izraelit po realizon operacione me precizitet të lartë, në fusha të kufizuara në spitalin “Al-Shifa”, pra, sipas informacioneve konkrete të zbulimit që kërkojnë aksion urgjent. E dimë se terroristët e Hamasit janë grupuar në spitalin “Al-Shifa” dhe e shfrytëzojnë për të sulmuar.”, - theksoi zëdhënësi i Forcave Izraelite, Daniell Hagari.
 
Ndërkohë, kriza humanitare është në gjendje katasrofale. Qytetarët për çdo ditë ballafaqohen me uri dhe me mungesë të kushteve elementare për jetë. Organizatat janë me ankesë për pamundësinë e shpërndarjes së ndihmave. Raporti i Kombeve të Bashkuara flet për uri të skajshme që mund ta kaplojë 70% të popullatës atje. Ministria e Shëndetësisë në Gazë raporton për civilë të vrarë dhe të plagosur. Disa prej tyre gjenden të lënduar brenda spitalit.
 
“Ne me të vërtetë vuajmë këtu. Kemi arritur deri në pikën që të kemi për të ngrënë vetëm bukë të thatë. Por, faleminderit Zotit edhe për këtë ushqim në këtë kohë.”, - tha një qytetarë.
 
“Jemi të lumtur që morën ndihmë pa pasur nevojë të shkojmë tek qarkorja. Shpresoj se do të jetë kështu edhe më tutje, të mos luftojmë për miell.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Në anën diplomatike vazhdojnë përpjekjet e Katarit dhe Egjiptit si ndërmjetësues për të arritur marrëveshje për ndërprerje të luftës në Gazë, ndërkaq palët në luftë, javën që lamë pas kanë ritheksuar kërkesat e tyre, të cilët nuk zhvendosen nga vijat e kuqe.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU