Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, ashpërsohet retorika para fillimit të fushatës, BDI: Opozita, me skenar rus për trazira politike

18.03.2024 15:26

Oponentët politikë po ashpërsojnë retorikën para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale....

Oponentët politikë po ashpërsojnë retorikën para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale. Nga BDI paralajmërojnë një skenar rus që synon trazira politike pas 8 majit. Sipas tyre, koalicioni VLEN, i koordinuar me VMRO-DPMNE-në e Mickoskit dhe me të majtën e Apasievit, si dhe në mungesë të programit zgjedhor, ka intensifikuar shpifjet ndaj Bujar Osmanit dhe Talat Xhaferit dhe nuk po kursejnë as familjarët e zyrtarëve, gjë që shqetëson qytetarët, por edhe faktorin ndërkombëtar në vend. 
 
“Ftojmë opozitën shqiptare dhe maqedonase, të zhvillojë një fushatë në përputhje me vlerat evropiane dhe demokratike, sepse çdo gjë kundër saj do të thotë largim nga Bashkimi Evropian dhe afrim me Moskën dhe Putinin. Në të njëjtën kohë e mirëpresim vendimin e OSBE-ODIHR-it t'i ndjekë zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, sepse besojmë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit - t'i themi "PO" Evropës, JO Rusisë.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
 
VLEN: Osmani u bë nikoqir i Lavrovit
 
Por, sipas opozitares VLEN, eksponentë të lartë të BDI-së janë persona të dyshuar për lidhje me qarqe antiamerikane. Është kryetari i Strugës, Ramiz Merko, i cili është futur në listën e zezë amerikane, edhe ish-kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, po ashtu është në listën e zezë amerikane, dhe në këtë listë mbetet edhe Menduh Thaçi, bashkëpunëtori i ngushtë i Ali Ahmetit. VLEN akuzon BDI-në edhe për proamerikanizëm të rremë.
 
“Është pikërisht kandidati për president i BDI-së, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili si bedel i Ali Ahmetit ishte njeriu që negocioi me Nikolla Gruevskin në Budapest për kthimin e tij, ndërsa ai vetë u bë edhe nikoqir i ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Llavrov, duke u bërë i pari dhe i vetmi që ia ka hapur dyert Rusisë për të defiluar në Evropë pas agresionit të saj në Ukrainë. Proamerikaznimi i rremë i BDI-së e ka emrin “Sergej Llavrov, mysafir i Bujar Osmanit”.”, thonë nga koalicioni VLEN.
 
VMRO-DPMNE: Pendarovski keqpërdor resurset
 
Akuza të ndërsjella nuk munguan edhe në bllokun maqedonas. Opozitarja VMRO-DPMNE akuzon Pendarovskin për keqpërdorim të resurseve shtetërore për nevoja partiake. 
 
“Stevo Pendarovski vozitet me veturë shtetërore deri në selinë e partisë për mbledhje partiake, edhe pse tha se nuk do ta bënte këtë. Duke ndjekur shembullin e Pendarovskit, funksionon e gjithë LSD-ja. Për nevojat e Pendarovskit, zëvendëskryeministri Mariçiq keqpërdor një automjet zyrtar për të nënshkruar për kandidaturën e Pendarovskit. Me të drejtë populli thotë se ne nuk kemi shtet, është koha ta kthejmë.”, - theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE. 
 
LSDM: Siljanovska fyen pensionistët
 
Edhe nga LSDM-ja akuzojnë VMRO-DPMNE–në se kandidatja e tyre i fyen pensionistët duke i krahasuar me Mapet Shou. 
 
“Ky lloj qëndrimi ndaj pensionistëve është i papërshtatshëm dhe jashtëzakonisht i papërgjegjshëm për një politikane, deputete apo kandidate për presidente të vendit. Pensionistët nuk meritojnë të nënçmohen dhe Siljanovska duhet t'u kërkojë falje. E shohim se DPMNE-ja nuk mund të bëjë asnjë ndryshim.”, - u shpreh Darko Kaevski nga LSDM.
 
Fushata për zgjedhjet presidenciale fillon më 4 prill dhe më pas do të vijojë edhe fushata për deputetë për zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit.
 
FLUTURA LATIFI