Botë

Tiranë, deputetët e opozitës hoqën dorë nga kaosi

18.03.2024 16:05

5 muaj pas seancash me kaos e tymues në Parlament, deputetët e opozitës hoqën dorë nga kaosi...

5 muaj pas seancash me kaos e tymues në Parlament, deputetët e opozitës hoqën dorë nga kaosi.
 
Pasi morën sigurinë për kërkesat e tyre për 2 komisione hetimore dhe për t’u përfshirë në diskutimin për reformat, deputetët e Rithemelimit me në krye Gazment Bardhin, u ulën në karriget e komisioneve parlamentare që nisën punimet fizikisht.
 
Shumë prej deputetëve të Rithemelimit shprehën pakënaqësi për atë që morën në këmbim të normalitetit dhe paralajmëruan kaos nëse të drejtat u shkelën sërish.
 
“Kjo marrëveshje është një fake i pastër. Ky është një normalitet i rremë. Ndryshuat Rregulloren e Kuvendit dhe kjo do të thotë se nëse nesër ndodh një protestë qytetare, i hiqet mandati deputetit duke e përjashtuar. Në 5 muaj keni kaluar ligje pa diskutime, përfshirë dhe buxhetin. Marrëveshja u bë në Tiranë, tymi plasi në Sazan.”, -  deklaroi Dash Sula.
 
“Ju ftoj të keni përgjegjësinë maksimale, përndryshe ne i rikthehemi mungesës së normalitetit.”, - theksoi Albana Vokshi.
 
“Bie ndesh me Kushtetutën dhe është qartësisht marrje e kompetencave nga ana e Këshillit të Ministrave të kompetencave të Kuvendit.”, - u shpreh Gazment Bardhi.
 
Grupi i Lulzim Bashës bojkotoi komisionet duke thënë se kjo ishte një marrëveshje hipokrite për të dështuar reformën zgjedhore.
 
LULJETA NDOKA