DASh-i sanksionon dy zyrtarë nga RMV-ja, Janeva dhe Jakimovski vendosen në Listën e Zezë

18.03.2024 20:44

Departamenti Amerikan i Shtetit sanksionoi ish-kryeprokuroren e Posaçme të Maqedonisë së Veriut...

Departamenti Amerikan i Shtetit sanksionoi ish-kryeprokuroren e Posaçme të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva dhe kryetarin aktual të komunës së Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski, për përfshirje në korrupsion. Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se “veprimet e tyre dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse”.

Në njoftim thuhet se ish-kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, ndërsa ishte në detyrë, ishte e përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar ndikimin e saj politik dhe pushtetin zyrtar për përfitime personale. 
 
“Ka informacione të besueshme që zonja Janeva ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, thuhet në njoftim. 
 
Ndërsa kryetari i komunës së Karposhit, zoti Jakimovski, thuhet më tej, ishte përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar postin e tij zyrtar për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar për veten dhe bashkëpunëtorët e tij. Të sanksionuarve dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
 
Pas publikimit të emrave të rinj në listën e zezë amerikane, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler, ka paralajmëruar edhe emra tjerë për në listën e zezë. 
 
“Emërimi i sotëm i ish-shefes së Prokurorisë Speciale, Katica Janeva dhe kandidatit aktual për president dhe kryetarit të komunës, Stevçe Jakimovski, nuk duhet të merret si një surprizë për asnjë, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të publikojnë emra të zyrtarëve nga çdo parti, pjesë e qeverisë ose komunitetit të përfshirë në korrupsion të theksuar”, - deklaroi Ambasadorja.
 
Ajo theksoi që qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë drejtësi prej institucioneve të tyre, ndaljen e krimit dhe korrupsionit. 
 
Në njoftimin e DASH theksohet se personat e lartpërmendur kanë minuar sundimin e ligjit dhe kanë ndikuar në rënimin e besimit të në institucionet demokratike të vendit.