Maqedoni
Skadon afati për kontrollin e listës zgjedhore, inspektimi për diasporën vlen deri në mesnatë
19.03.2024 10:48
Ka skaduar afati për inspektimin e listës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare....

Ka skaduar afati për inspektimin e listës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Për diasporën, kontrolli i listës zgjedhore vazhdon deri sot në mesnatë, për shkak të problemeve teknike me ueb-faqen e KShZ-së. Kjo vjen pas raportit të Diasporës së Bashkuar Maqedonase se shtetasit që jetojnë jashtë vendit nuk kanë mundur të regjistrohen, përkatësisht sistemi ka treguar se regjistrimi ka përfunduar më 11 mars.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet t’ua dorëzojë listën zgjedhore partive politike që e kanë kërkuar më së voni brenda tre ditësh. Ata kanë afat pesë ditë nga dita e marrjes dhe jo më vonë se data 26 mars, të paraqesin kërkesë për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave. Katër nga shtatë kandidatët që kanë mbledhur nënshkrime nga qytetarët kanë dorëzuar kandidaturat për president në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Kandidaturën për president e kanë paraqitur presidenti aktual i shtetit Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga LSDM-ja dhe Koalicioni, Stevço Jakimovski nga GROM-i, Maksim Dimitrievski nga “E di”, Bujar Osmani i mbështetur nga BDI-ja dhe Arben Taravari, i mbështetur nga Koalicioni i opozitës shqiptare VLEN. Nënshkrime për president kanë mbledhur edhe Gordana Siljanovska Davkova, e cila është e përkrahur nga VMRO-ja dhe Koalicioni dhe Biljana Vankovska e mbështetur nga E Majta. Kandidaturat për president duhet të dorëzohen deri në mesnatën e sotme.
Kandidaturat duhet të konfirmohen nga anëtarët e KShZ-së dhe më pas ata do të bëhen zyrtarisht kandidatë për president. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill.
