Botë
ShBA-ja rrit presionin mbi Izraelin, raund i ri i negociatave mes palëve në Katar
19.03.2024 11:30
SHBA po shton presionin ndaj Izraelit por Netanjahu nuk po dorëzohet....

ShBA-ja është duke e shtuar presionin ndaj Izraelit, por Netanjahu nuk pranon marrëveshjet e ofruara dhe nuk dorëzohet para presioneve. Ofensiva në Rafah ishte tema e bisedës telefonike mes Netanjahut dhe presidentit amerikan, Xho Bajden.
“Ne diskutuam zhvillimet e fundit në luftë, si dhe përkushtimin e Izraelit për të arritur të gjitha qëllimet e tij: eliminimin e Hamasit, lirimin e të gjitha pengjeve tona dhe premtimin se Gaza nuk do të përbëjë më një kërcënim – duke ofruar ndihmën e nevojshme humanitare.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
“Një operacion i madh tokësor do të ishte një gabim. Netanjahu e ka te qartë pikëpamjen e tij për operacionin, por ra dakord të dërgonte një ekip për të diskutuar. Pikëpamja jonë është se ka mënyra që Izraeli të mbizotërojë në këtë konflikt dhe t’i japë fund kërcënimit të terrorit nga Gaza pa një operacion në Rafah.”, - theksoi këshilltari për Siguri Kombëtare, Xhejk Sullivan.
OKB-ja paralajmëron se nëse Izraeli zgjeron ofensivën e tij në qytetin jugor të mbushur me njerëz, luftimet do të shtynin më shumë se një milion njerëz në uri katastrofike.
“Nëse luftimet ndalojnë, ne kemi akses të plotë dhe do të jemi ende në gjendje ta ndalojmë këtë. Por nëse konflikti vazhdon, ne patjetër do të shohim zi urie në këto vende.”, - u shpreh Arif Husain nga OKB-ja.
Luftime të ashpra në terren. Marvan Isa, nënkryetari i krahut ushtarak të Hamasit, u vra në një sulm ajror izraelit. Operacionet në spitalin “Al-Shifa” po vazhdojnë gjithashtu.
“Arrestuam mbi 200 të dyshuar për terrorizëm, eliminuam mbi 20 terroristë. Ne do të vazhdojmë të godasim kudo që Hamasi të përpiqet të rimarrë kontrollin.”, - deklaroi zëdhënësi i Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari.
Një raund i ri negociatash në Katar. Sekretari amerikan i Shtetit shprehu shpresën për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve përpara vizitës së tij në Lindjen e Mesme.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të arritur një marrëveshje dhe për të vazhduar bisedimet për Gazën e pasluftës. Sfida tani është të sigurohet që secili plan të zbatohet. Ky do të jetë fokusi i kësaj vizite.”, - theksoi sekretari i Shtetit Amerikan, Antoni Blinken.
Në të njëjtën kohë, ushtria amerikane kreu sulme në zonat e kontrolluara nga Huthi të Jemenit dhe shkatërroi një numër armësh që kërcënojnë anijet tregtare në Detin e Kuq.
GAZMEND REXHEPI
