Maqedoni

Reshje të shiut dhe borës, rritet sasia e ujit në lumenj, vështirësi në komunikacion

06.04.2015 16:34

Pjesa perëndimore e vendit prej dje është përfshirë nga reshjet e borës, ndërsa pjesa verilindore dhe qendrore e vendit nga reshjet e shiut...

Pjesa perëndimore e vendit prej dje është përfshirë nga reshjet e borës, ndërsa pjesa verilindore dhe qendrore e vendit nga reshjet e shiut, duke shkaktuar vërshimin e lumenjve nga shtrati.
 
Në Kërçovë dhe Dibër është regjistruar reshje e borës prej 20 centimetrash, ndërsa në zonat malore edhe deri në 40 centimetra.
 
Borë ka pasur edhe në Gostivar dhe Tetovë. Ndërsa reshjet e shiut kanë rritur sasinë e ujit në lumenjtë e vendit, me ç’rast lumi Bregallnica ka dalë nga shtrati, duke vërshuar sipërfaqe të tokës bujqësore. Po ashtu sasia e ujit është rritur edhe në pendën Kalimanci, ndërsa dalje të lumit nga shtrati ka pasur edhe në disa fshatra të Komunës së Mogillës.
 
Vërshimet kanë prekur edhe disa shtëpi në fshatin Kravari të Manastirit. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Manastir ka njoftuar se reshjet kanë arritur në 28 litra për metër katrorë.
 
Për shkak të rrëshqitjes së dheut në drejtimin rrugor Prilep-Resnjë, në unazën e Manastirit qarkullimi është ndërprerë tërësisht për të gjitha automjetet. Qarkullimi, siç informon “Lidhja Automoto” e Maqedonisë, është kahëzuar përmes Manastirit.      
 
“200 deri në 300 metra nga vendi ku më parë kishte rrëshqitje, që menduam se është më e rrezikshme, tani u paraqit rrëshqitje tjetër më e rrezikshme, pasi ndodhet direkt mbi murin para tunelit, në qarkoren Manastrir-Prilep-Resnjë. Bëhet fjalë për rrëshqitje të një sipërfaqe prej 25 deri në 30 metra gjerësi dhe për çdo 15 minuta bien gurë të mëdhenj”- thanë nga “Lidhja Automoto”.
 
Po ashtu për shkak të plasaritjeve të rrugës Prilep-Vitolishte, kryetari i Prilepit ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin këtë rrugë.    
                                               
“Bëhet fjalë për rrezik më të madh, prandaj rekomandimi im është që bashkëqytetarët tanë dhe të gjithë ata që jetojnë në rajonin e Mariovës të shmangin këtë rrugë gjatë këtyre ditëve derisa nuk stabilizohet dhe nuk bëhet ndonjë korrigjim më i madh”- theksoi kryetari i Prilepit, Marian Ristevski. 
 
Paraprakisht, “Lidhja Automoto” njoftoi se për shkak të reshjeve intensive të borës qarkullimi në drejtimin rrugor të Strugës, kalimi kufitar Qafë Thanë është ndërprerë për automjetet e rënda.
 
Për shkak të mbetjeve të borës nëpër rrugë, është vendosur ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda në rrugën Strazhë dhe Presekë, si dhe në akset rrugore Mavrovë-Dibër dhe Tetovë-Kodra e Diellit, ku ndalesa vlen edhe për autobusët. Për automjete të udhëtarëve lëvizja është e vështirësuar dhe rekomandohen pajisje dimërore. 
 
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet e shiut dhe borës do të vazhdojnë edhe në dy ditët e ardhshme, madje krahas zonave malore, reshjet e shiut në ultësira pritet të kalojnë në reshje të borës, sidomos në pjesën perëndimore dhe veriore të vendit. Dielli do të kthehet të mërkurën, kur temperatura do të rritet deri në 14 gradë celsius. 
 
GYLTENE SINANI