Maqedoni

“Bomba” e XVIII, Zaev: Gruevski bëri pazare me BDI-në

06.04.2015 17:01

“Bomba” e 18-të e LSDM-së kishte të bënte me dëshmi të cilat, siç tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kryeministri, Nikolla Gruevski...

“Bomba” e 18-të e LSDM-së kishte të bënte me dëshmi të cilat, siç tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kryeministri, Nikolla Gruevski, nuk është patriot i madh siç paraqitet para opinionit.
 
Zaev thotë se edhe pse Gruevski mohonte se ka bërë pazare me BDI-në për mbylljen e rasteve të Hagës dhe sjelljen e ligjeve për përdorimin e gjuhës dhe flamurit, ai thotë se nga bisedat e përgjuara dëgjohen të dhëna për rastet e Hagës, dëgjohet se si kryeministri urdhëron Silvana Bonevën të zbatojë planin për miratimin e Ligjit për Amnisti të Ish-ushtarëve të UÇK-së.
 
Gruevski pranon se VMRO do ta ketë vështirë për këtë amnisti, por duhet të durojë. Në bisedën mes ministres së Brendshme, Gordana Jankullovskës, dhe ministrit, Zoran Stavreski, shprehet pakënaqësi që amnistohen ish-ushtarët e UÇK-së.
 
Jankullovska urdhëron që propozimi për këtë ligj të shkruhet në mënyrë të paqartë, që “të kalojë” sa më shpejtë.
 
Në bisedën me sekretarin shtetëror, Kiril Bozhinovskin, ajo thotë që edhe pse ministrat nuk dëshirojnë të nënshkruajnë, megjithatë kjo punë duhet kryer. 
 
Në një bisedë tjetër Jankulloska bisedon me kryetarin e Parlamentit, Trajko Velanoskin, si dhe me Biljana Bishovska-Boshkovskin se si ta pengojnë amnestimin e ish-funksionarëve të UÇK-së. 
 
“Ja patriotin e rrejshëm, Nikolla Gruevskin, ja manipuluesin e skenës politike të RM-së, pa asnjë guxim njerëzor dhe pa guxim si lider. Një kryeministër ka për obligim që të ndalet para qytetarëve. Por, tash e shohim se pse ai s’mundet ta bëjë këtë, sepse ai udhëhiqet vetëm nga interesi personal. Nuk është me rëndësi cilit nacionalitet i përkisni ose çfarë orientimi partiak keni, sugjeroj që të gjithë ne të bashkohemi dhe t’i japim fund Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Në bisedën e shtatë midis Gordana Jankulloskës dhe Trajko Velanoskit dëgjohet se si ata flasin se është nënshkruar vendimi i Gruevskit për amnestimin e ish-ushtarëve të UÇK-së për rastin e Hagës.
 
Në bisedë dëgjohet se si Gordana Jankulloska shqiptarët i quan “indianë”. Zaev, thotë se në një bisedë Nikolla Gruevski dëgjohet duke i thënë Lençe Samarxhievskës që t`i ftojë të gjithë deputetët e VMRO-DPMNE-së menjëherë që të vijnë në parlament dhe të votojnë për të kaluar vendimi për amnestimin e rastit të Hagës, pasi që nuk ka kuorum. 
 
Ndërsa sa i përket bisedimeve në Bruksel për zgjidhjen e krizës politike, Zaev thotë se nuk dëshiron të komentojë detajet, por partia e tij u jep shans bisedimeve.
 
“Gjithçka që ka të bëjë me bisedimet është me ndërmjetësim të BE-së dhe nuk dëshirojmë të komentojmë. Ata do të njoftojnë të dhëna të cilat do të konstatojnë se janë të nevojshme për t’u publikuar. Qëndrimet tona janë të qarta, ne u japim shans bisedimeve. Edhe pse në të kaluarën ishim të kritikuar se negociojmë me tradhtarë, tani e pamë se kur negociojmë incizohemi dhe publikohemi para opinionit, por ne ja sërish negociojmë. Por, normal deri në një periudhë të caktuar do të presim rezultatet e bisedimeve. Opozita ka për obligim që të ndërpresë këtë të keqe dhe prej fundit s’ka ikje”- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Lideri i LSDM-së thotë se të gjitha bisedat e përgjuara do të publikohen, përfshirë këtu edhe bisedat e përgjuara të partive shqiptare. 
 
SANIJE KASAMI