Maqedoni
BDI dhe Lëvizja “Populli” vulosën bashkëpunimin zgjedhor, Ahmeti: Punët e mëdha nuk bëhen vetëm
19.03.2024 15:33
BDI-ja zyrtarizoi themelimin e Frontit Evropian....

BDI-ja zyrtarizoi themelimin e Frontit Evropian. Ky front u formalizua me nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionim mes lëvizjes “Populli” të Skender Rexhepit dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim zgjedhor, lideri i integristëve tha se 8 maji do të jetë një lloj referendumi nëse Maqedonia synon BE-në apo jo. Ahmeti tha se shqiptarët nuk guxojnë të humbasin momentet e tyre vendimtare për eurointegrimin e vendit, pasi që dihet tashmë ndikimi rus në vendin tonë.
"Pse Fronti Evropian? Për shkak të integrimit evropian dhe sepse jetojmë në një kohë kur gjërat kanë shkuar keq në nivel global. Sepse ne kemi kapacitet për politikë korrekte në këtë kohë. Ne nuk kemi asgjë kundër partive të tjera politike, por ato nuk kanë kapacitet të përballen me këto gjëra që po ndodhin këtu dhe rreth nesh, prandaj ky bashkim është i domosdoshëm, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga komunitetet tjera.”, - deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Rexhepi: Fronti evropian, moment historik
Skender Rexhepi, nënshkrimin e marrëveshjes për Front Evropian e cilësoi si moment historik dhe si iniciativë që do të jetë e suksesshme, pasi siç tha ai, janë bërë bashkë BDI dhe Lëvizja “Populli”.
“Sot është një ditë historike për ne, sepse sot hapet kapitulli i Frontit Evropian. Në këtë rrugëtim drejt një të ardhmeje evropiane, një iniciativë që do të jetë e suksesshme, sepse ky front përbëhet nga BDI dhe Lëvizja “Populli”. Të mos harrojmë se BDI-ja ka një rrugë 22-vjeçare në politikë, pjesëmarrje në qeverisje, ndaj Lëvizja “Populli” do të jetë një ndihmë e madhe në këto zgjedhje me këtë bashkëpunim, me një program thelbësor për familjen, shtetin dhe shoqërinë. Së bashku do të luftojmë dukuritë negative në shoqëri, që Fronti Evropian të bëjë mrekulli dhe të dëshmojë se kemi një kapacitet të mirë, jo vetëm për të fituar zgjedhjet, por edhe për të garuar në superligë.”, - theksoi lideri i Lëvizjes “Populli”, Skender Rexhepi.
I pari i integristëve informoi se janë në fazën e negociatave edhe me ASh-në, krahun e Ziadin Selës, PDE-në e Arjanit Hoxhës, PDSh-në e Menduh Thaçit, por edhe me parti të etnive tjera.
SANIJE DURAKU
