Maqedoni

Ministri belg, Rejnders, porosit: arrini përparim që të anëtarësoheni në BE

06.04.2015 17:05

Disponimi i BE-së dhe veçanërisht i Belgjikës është që të ndihmohet Maqedonia, por paraprakisht ajo duhet të mbarojë punën e saj vetë...

Disponimi i BE-së dhe veçanërisht i Belgjikës është që të ndihmohet Maqedonia, por paraprakisht ajo duhet të mbarojë punën e saj vetë, ky ishte mesazhi të cilin e përcolli ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Didie Rejnders, pas takimit të tij me homologun e tij maqedonas, Nikolla Popovskin.
 
“Për Belgjikën mesazhi është shumë i qartë. Ne presim nga ju të arrini përparim që të mund të integroheni në BE dhe NATO në një afat të caktuar, dhe që të arrini atë duhet të vazhdon dialogu politik. Besoj që pas takimit që keni pasur në Bruksel do të fillohet një dialog i vërtetë me të gjithë pjesëtarët”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Didie Rejnders.
 
Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Popovskit, është shumë e qartë se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s, por që edhe Evropa duhet të angazhohet të vendos kredibilitete dhe principe në procesin e anëtarësimit.
 
Ai po ashtu shton se për momentin hendikep më të madh paraqet dialogu politik në vend.
 
“Në këtë moment hendikep më të madh paraqesin mangësitë në pjesën e dialogut politik, i cili nuk pasqyrohet pozitivisht ndaj imazhit të vendit dhe definitivisht e vështirëson punën e atyre që dëshirojnë të na ndihmojnë sa më shpejt që të bëhemi pjesë e BE-së dhe NATO-s. Në asnjë rast nuk mund të presim të kemi përparim në proceset politike nëse nuk kemi ardhmëri kredibile në BE”- tha ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Popovski.
 
Shefi i diplomacisë belge realizoi takim edhe me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Fatmir Besimin, si dhe me kryetarin e Shtetit, Gjorge Ivanovin.
 
Edhe në këto takime u bë fjalë për procesin eurointegrues të vendit, si dhe për krizën politike aktuale në vend. 
 
BESA JASHARI