Ekonomi

Ministria e Ekonomisë: personat fizik mund të importojnë vetëm dy vetura

06.04.2015 17:22

Ministria e Ekonomisë bashkë me 17 stacione për kontroll teknik të automjeteve përafroi qëndrimet për ndryshimet e Ligjit për Automjete...

Të dyja palët i dorëzuan qeverisë propozimet e reja për shqyrtim. Mes tjerash, parashikohet që dhënia e lejes për regjistrim të automjeteve të shkurtohet nga 15 në 5 ditë.
 
“Unanimisht u përkrahën të gjitha propozimet e ligjit. Kryesisht bëhet fjalë për ndryshime të ligjit të cilat Ministrisë së Ekonomisë dhe qeverisë i mundësojnë kontroll më të madh në aspektin e kontrollit teknik të automjeteve dhe në sigurinë e automjeteve në RM-së”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Përfaqësues të stacioneve për kontroll teknik të automjeteve thonë se me ndryshimet në ligj do të përmirësohet dhënia e shërbimeve, gjithmonë duke iu përmbajtur normave evropiane. 
 
“Vërejtjet kryesisht kanë të bëjnë me pjesën e sigurisë. Janë në frymën e normave evropiane, që do të thotë kontroll më i madh i punës tonë. Faktikisht presim që të na lehtësohet puna jonë dhe të jetë në përputhshmëri me normat evropiane”- tha Zoran Vasilevski nga Shërbimi Teknik “Automakedonija”.
 
Ndryshime parashikohen edhe në pjesën e Ligjit për Tregti me Vetura. Parashikohet që personat fizik të mos importojnë më shumë se dy vetura në vit.
 
“Çdo person fizik në të ardhmen do të mund që të importon vetëm dy automobila. Nëse e importon automobilin e tretë, nuk do t’i lejohet. Importin e veturës së tretë mund ta bëjë nëse personi është i regjistruar si subjekt juridik”- theksoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti janë importuar gjithsej 3096 vetura. Prej tyre, 2391 janë vetura të përdorura, ndërsa 428 të reja.
 
Gjatë viti 2014 shifra e veturave të importuara tejkaloi shifrën 35 mijë. Sipas vlerësimeve që dalin nga dikasteri i ekonomisë, me kufizimet në import do të ulet konkurrenca jolojale gjatë tregtimit me vetura të përdorura.  
 
MERAL ISMAILI