Maqedoni
Prokuroria Themelore Publike e Strugës, aktakuzë ndaj kryetarit të Strugës, Merko
20.03.2024 10:33
Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, për punë të papërgjegjshme...

Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, për punë të papërgjegjshme.
Sipas Prokurorisë: “I akuzuari, si zyrtar – kryetar i Komunës së Strugës, me 31 janar 2022 me dashje ka shkelur dispozitat ligjore për veprim të ndërgjegjshëm me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit në shkollën fillore komunale në fshatin Labunishtë. Me këtë ka marrë vendim dhe ka emëruar një person i cili nuk ka qenë i punësuar, siç parashikohet në nenin 118 të Ligjit për arsimin bazë dhe nuk ka pasur përvojë adekuate të punës në punë edukativo-arsimore siç parashihet në nenin 109 të Ligjit. Kështu, i akuzuari ka bërë të mundur që personi të emërohet në detyrë dhe t’i paguhet paga si ushtrues detyre drejtor për 19 muaj, i cili i ka shkaktuar shkollës dëm në shumën totale të pagave dhe kontributeve të paguara në mënyrë të pabazuar.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Kjo është aktakuza e dytë ndaj kreut të Strugës brenda 20 ditësh, pas aktakuzës së parë e cila ka të bëjë me blerjen e veturës zyrtare Audi.
