Botë
Izraeli intensifikon sulmet në Gazë, sulmon spitalin “Al-Shifa” dhe kampin e refugjatëve
20.03.2024 11:11
Një sulm ushtarak izraelit i nisur të hënën po vazhdon në spitalin më të madh të Gazës, “Al-Shifa”....

Një sulm ushtarak izraelit i nisur të hënën po vazhdon në spitalin më të madh të Gazës, “Al-Shifa”, ku mijëra njerëz janë strehuar dhe po jetojnë në kushte shumë të vështira. Po ashtu të paktën 27 palestinezë u vranë si pasojë e bombardimit të një shtëpie nga avionët luftarakë izraelitë në kampin e refugjatëve.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmud Basal tha për CNN se spitali është i rrethuar nga forcat izraelite. Këta të fundit thonë se spitali “Al-Shifa” po përdoret si vendstrehim për terroristët e lartë të Hamasit. Brenda spitalit, njerëzit kanë raportuar se janë ndaluar dhe rrahur rëndë dhe se kanë frikë të lëvizin nga njëra dhomë në tjetrën. Të tjerë kanë bërë thirrje për ndërhyrje urgjente përpara se spitali të kthehet në një varr masiv.
Po ashtu të paktën 27 palestinezë u vranë si pasojë e bombardimit të një shtëpie nga avionët luftarakë izraelitë në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës. Theksohet se edhe në sulmin ajror të kryer nga avionët luftarakë izraelitë në zonën Sidra në lagjen Ed-Durc në lindje të qytetit të Gazës ka të vrarë dhe se njëkohësisht me këto sulme është shënjestruar me goditje artilerie edhe pjesa veriore e qytetit të Gazës dhe zona të tjera.
