Botë
Rënia kaotike e Kabulit, gjeneralët: Dështim i administratës amerikane!
20.03.2024 12:21
Tërheqja kaotike nga Kabuli që përfundoi në duart e talebanëve gushtin e vitit 2021...

Tërheqja kaotike nga Kabuli që përfundoi në duart e talebanëve gushtin e vitit 2021, ishte pasojë e lëvizjeve të gabuara të administratës amerikane, dhe për këtë dy gjeneralët kryesorë amerikanë që mbikëqyrën asokohe evakuimin, e shprehën bindjen e tyre publikisht.
Administrata Biden, thanë ata përpara ligjvënësve amerikane, bëri planifikime joadekuate për evakuimin dhe urdhri për këtë masë nuk ishte dhënë në kohë. Dëshmia e rrallë dy gjeneralëve në pension, Mark Milley, ish Shef i shtabit të ushtrisë amerikane dhe Gjenerali në pension Frank McKenzie, nxjerr për herë të pah në dritë tendosjen dhe dallimet që udhëheqësit ushtarakë kishin me administratën e Presidentit Biden gjatë ditëve të fundit të luftës. Pentagoni kishte këshilluar që Shtetet e Bashkuara të mbanin në Afganistan të paktën 2,500 ushtarë për të ruajtur stabilitetin.
Një tjetër shqetësim i udhëheqjes ushtarake ishte se Departamenti i Shtetit nuk po vepronte me shpejtësinë e duhur për të mundësuar fillimin e evakuimit. Dëshmitë bien ndesh me konkluzionin e një rishikimi të brendshëm të Shtëpisë së Bardhë lidhur me vendimet e administratës. Sipas përfundimeve, vendimet e Presidentit Joe Biden ishin “tejet të kufizuara” si rezultat i marrëveshjeve të mëparshme të tërheqjes të negociuara nga ish-Presidenti Donald Trump. Raporti i Shtëpisë së Bardhë e fajësonte ushtrinë, duke thënë se komandantët e lartë pohuan se kishin burime të mjaftueshme për evakuimin.
Trembëdhjetë ushtarë amerikanë u vranë nga një sulm vetëvrasës në aeroportin e Kabulit në ditët e fundit të luftës ndërsa talebanët morën kontrollin e Afganistanit. Paniku mbërtheu mijëra afganë dhe shtetas amerikanë që u përpoqën me dëshpërim të hipnin në avionët ushtarakë amerikanë që po evakuonin njerëzit. Ushtria amerikane arriti në fund të evakuonte 130 mijë civilë përpara se të largohej nga ai vend.
