Maqedoni

Kuvend, lehtësohen procedurat për kuponët me vlerë

06.04.2015 17:36

Deputetët në Kuvendin Republikan me 63 vota për ndryshuan tekstin e Ligjit për Ndarjen e Kuponëve me Vlerë, që u dedikohen studentëve për blerjen e tablet-kompjuterëve...

Ndryshimet kanë për qëllim thjeshtësimin e procedurës për aplikim dhe shmangien e shpenzimeve plotësuese, sqaruan propozuesit e ndryshimeve.
 
Sipas tyre, studentët nuk do të jenë të obliguar të dorëzojnë vërtetime nga fakultetet, si dhe vërtetime nga Drejtoria për të Ardhura Publike, siç parashikohej në tekstin e ligjit, të njëjtat, sipas tyre, do të zbatohen në rrugë elektronike. 
 
Deputetët gjithashtu me 54 vota për dhe 8 të përmbajtur miratuan  plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Punësim dhe Sigurim në Rast të Papunësisë.
 
Me ndryshimet, siç sqaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, duhet të mundësohet hyrja më shpejt në fuqi e masave që janë të parapara me projektin “Maqedonia punëson”.
 
Ndryshimet e ligjit u dedikohen personave prej 35 deri në moshën 50 vjeç, të cilët mbi 10 vjet janë pa punë, personave mbi 50 vjeç, të papunëve nga kategoria e qytetarëve të ndjeshëm dhe personave më të moshuar se 58 vjet, të cilët do të kenë mundësi të punësohen në ndërmarrjet private.
 
Masat parashohin lirimin nga pagesa e kontributeve të domosdoshme sociale dhe të tatimit personal për ndërmarrjet të cilat do të punësojnë persona nga këto kategori të qytetarëve.
 

NAIM RAMADANI