Botë
Rusia akuzon Ukrainën për sulme me dronë, Ukraina njofton për 5 të vrarë nga sulmet ruse
20.03.2024 14:12
Fronti ruso-ukrainas vazhdon të ashpërsohet....

Fronti ruso-ukrainas vazhdon të ashpërsohet. Njoftohet për sulme me dron në të dyja anët e kufirit. Guvernatori i Saratovit të Rusisë alarmoi se është sulmuar qyteti rus Engels, pranë bazës ajrore ushtarake të bombarduesve strategjikë. Pas intensifikimit të sulmeve ukrainase në territorin rus, Moska njoftoi përforcimin e masave të sigurisë në zonat kufitare. Rreth 9 mijë fëmijë janë duke u evakuuar.
“Do të ngrihen pika në të cilat do të jenë të pranishëm personeli i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gardës Kombëtare, Shërbimit Kufitar, Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të përcaktohet procedura e vizitës së objekteve të banimit. Ne do të vazhdojmë me evakuimin e fëmijëve dhe një numri të madh banorësh që mbeten nën zjarr.”, - deklaroi guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov.
Ndërkohë edhe Rusia po vazhdon me sulmet në Ukrainë. Të paktën pesë persona u vranë në një sulm ajror rus në Dnipropetrovsk. Kievi mori mbështetjen e aleatëve. Për rreth 15 ditë do të pranojë artilerinë dhe municionin e nevojshëm.
"Bota duhet të shohë se si funksionon drejtësia ndërkombëtare në përgjigje të agresionit dhe terrorit. Nga fillimi i marsit e deri më sot, aviacioni rus ka hedhur gati 200 bomba. Është e qartë se Ukraina duhet të forcojë mbrojtjen e saj ajrore për të parandaluar këtë terror.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Putini ka akuzuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimorë për përdorimin e metodave terroriste në sulmet e saj në zonat kufitare të Rusisë.
“Regjimi neonazist në Kiev, përsëri me mbështetjen e Perëndimit dhe shpesh me udhëzimet e tyre të drejtpërdrejta kaloi në metoda terroriste. Qytetet paqësore janë granatuar. Deklarata provokuese nga një sërë strukturash perëndimore. E gjithë kjo i ngjan shantazhit të drejtpërdrejtë dhe synimit për të frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë.”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Kreu i diplomacisë evropiane Borell paraqiti një propozim në Këshillin e BE-së për përdorimin e të ardhurave nga fondet e bllokuara ruse. Lufta në Ukrainë dhe mbështetja për Kievin do të jenë një nga temat kryesore të komunitetit politik evropian. Ndërkohë shërbimet inteligjente ruse paralajmëruan se Franca po përgatit një kontingjent ushtarak prej 2.000 ushtarësh për frontin në Ukrainë, por një gjë të tillë e demantoi Parisi.
BELINDA KOKA ADEMI
