Botë
Blinken: Dy milionë banorët e Gazës kërcënohen nga uria
20.03.2024 14:29
Dy milionë banorët e Gazës po përjetojnë “nivele të rënda të pasigurisë akute ushqimore”, deklaroi sekretari amerikan i shtetit...

Dy milionë banorët e Gazës po përjetojnë “nivele të rënda të pasigurisë akute ushqimore”, deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken. Shefi i diplomacisë amerikane i bëri thirrje Izraelit që t’i japë përparësi sigurimit të ndihmave për personat që kanë më shumë nevojë.
“Në bazë të matjeve më serioze për çështje të tilla, 100% e popullsisë së Gazës është në rrezik nga mungesa e ushqimit. Unë do të vizitoj Arabinë Saudite dhe Egjiptin për të diskutuar lidhur me dërgimin e ndihmave dhe një armëpushim të mundshëm.”, - deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken.
Ndërkohë, Izraeli po përgatitet për një sulm në pjesën më jugore të Rripit të Gazës, zonën Rafah. Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka thënë se për shkak të respektit ndaj presidentit amerikan Bajden do të presë t’i dëgjojë propozimet amerikane për mbrojtjen e civilëve në Rafah para se të fillojë operacionin ushtarak. Me kërkesë të presidentit amerikan, Bajden, ministri izraelit i mbrojtjes, Joav Galant, javën e ardhshme do të udhëtojë për në ShBA, ku do të diskutohet për operacionin ushtarak izraelit në Rafah. ShBA-ja po përgatitet t'i paraqesë Izraelit alternativa të ndryshme në vend të ndërhyrjes tokësore në Rafah. Pyetja është se ku mund të evakuohen 1.5 milionë banorë që janë pa kushte jetese për gati gjysmë viti. Bombardimi i vazhdueshëm izraelit i qytetit të Gazës është gjithashtu i rëndësishëm. Uria është e pranishme edhe te personeli mjekësor.
“Të gjithë marrim disa vakte gjithsej, nuk janë shumë të ushqyeshme. Ne ndajmë çdo vakt mes dy mjekëve. Ka pak perime dhe pak oriz dhe kjo nuk mjafton për turnin 24-orësh të mjekut.”, - theksoi mjeku vullnetar në spitalin “Al-Aksa”, Bashar Abdel Kader.
Refugjatët nga Gaza nuk kanë ku të shkojnë. Egjipti është i mbyllur për palestinezët, Tel Avivi dhe Kajroja nuk lejojnë që kreu i agjencisë kompetente për palestinezët e Kombeve të Bashkuara të hyjë në Gazë.
“Lëvizja e lirë e punëtorëve ndërkombëtarë është një kërkesë kyçe për përgjigjen humanitare. Lazarini dhe stafi i tij duhet të kenë akses në fushë. Ne do të punojmë me qeverinë izraelite dhe bashkëbisedues të tjerë për ta bërë këtë.”, - u shpreh zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.
Kriza në Izraelin jugor ka një ndikim të drejtpërdrejtë në situatën në Lindjen e Mesme. Marina amerikane dhe britanike kanë shtuar operacionet ushtarake kundër Huthis për të lejuar anijet tregtare të kalojnë përmes Detit të Kuq drejt kanalit të Suezit.
BELINDA KOKA ADEMI
