Maqedoni
“Dita Botërore e Shëndetit”, mbi 200 sëmundje nga ushqimi i kontaminuar
06.04.2015 17:53
Mbi 200 sëmundje shkaktohen nga ushqimi i kontaminuar, për këtë shkak motoja e këtij viti e Organizatës Botërore të Shëndetësisë...

Mbi 200 sëmundje shkaktohen nga ushqimi i kontaminuar, për këtë shkak motoja e këtij viti e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është “Për ushqim të sigurt nga ara deri te tryeza”, e cila ka për qëllim të ngrit vetëdijen e qytetarëve, e sidomos e të rinjve për të konsumuar ushqim të shëndetshëm dhe të sigurt.
Sëmundjet që burojnë nga ushqimi dhe uji, të shoqëruara me diarre, shkaktojnë vdekjen e 2 milion njerëzve në vit, nga të cilët në të shumtën e rasteve janë fëmijë.
Autoritetet thonë se ushqimi në vendin tonë është i sigurt dhe i shëndetshëm, por paraqitja e sëmundjeve të ndryshme është si rezultat i kushteve të papërshtatshme të ruajtjes dhe të përgatitjes së ushqimit.
“Në “Ditën Botërore të Shëndetit” për vitin 2015, OBSH vlerëson se numri i sëmundjeve të cilat përcillen nëpërmjet ushqimit është shumë më i lartë nga ai që po raportohet dhe kjo gjë thekson nevojën për përmirësimin e bashkëpunimit mes sektorëve, me qëllim zvogëlimin e rreziqeve shëndetësore që burojnë nga ushqimi jo i sigurt”- deklaroi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti.
Qytetarët e anketuar për TVM2 shprehen se ata mundohen të ushqehen shëndetshëm, por nuk janë të sigurt për kualitetin e ushqimit që e konsumojnë.
“Po mundohemi, ne me dijen tonë ushqehemi shëndetshëm. Kur po na tregojnë se është i shëndetshëm, po e hamë, kur po na thonë mos ta konsumojmë, atëherë edhe ne nuk e konsumojmë”- u shpreh një qytetar.
“Jo, nuk ka ushqim të sigurt, as nëpër super-markete, e lërë më në treg”- theksoi një qytetar.
Për të parandaluar këto sëmundje rekomandohet të mirëmbani higjienën, të veçoni ushqimin e pagatuar nga ushqimi i gatuar, të gatuani mirë ushqimin, të ruani ushqimet në temperatura adekuate, si dhe të përdorni ujë të sigurt dhe produkte të freskëta.
ERSAN PAJAZITI
