Botë

Liderët e BE-së takohen në Bruksel, temat janë Ukraina, Gaza dhe zgjerimi i BE-së

21.03.2024 11:38

Udhëheqësit e BE-së do të takohen sot dhe nesër në Bruksel për të diskutuar luftën në Ukrainë...

Udhëheqësit e BE-së do të takohen sot dhe nesër në Bruksel për të diskutuar luftën në Ukrainë, konfliktin në Gazë dhe planet e Komisionit Evropian për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes së Bashkimit Evropian, si dhe zgjerimin e mundshëm në të ardhmen e bllokut 27-anëtarësh.

Kryeministrat dhe presidentët e mbledhur do të diskutojnë planin për të blerë armë për Ukrainën me ndihmën e të ardhurave nga fondet e ngrira ruse. Liderët e BE-së pritet gjithashtu të përsërisin thirrjen e ministrave të Jashtëm në shkurt për një "pauzë urgjente humanitare që çon në një armëpushim të qëndrueshëm" në Gazë, sipas një draft deklarate. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, do t'i bashkohet bisedimeve në Bruksel për luftën midis Izraelit dhe Hamasit.
 
Do të diskutohet gjithashtu propozimi i Komisionit për të forcuar industrinë e armëve të bllokut duke ndarë 1.5 miliardë euro për prokurimin e përbashkët të pajisjeve ushtarake. Liderët pritet gjithashtu të bien dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Bosnjën dhe Hercegovinën, pas rekomandimit të Komisionit, më 12 mars. Pavarësisht rëndësisë së çështjeve ndërkombëtare, problemet e brendshme ende mund të shpërqendrojnë liderët e BE-së për shkak të protestave të  reja bujqësore që do të zhvillohen.