Botë

Osmani: Kosova synon anëtarësimin në INTERPOL

21.03.2024 14:14

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së...

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së, Kështu ka deklaruar  presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ndihmës sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të ShBA-së, Tod D. Robinson. Sipas saj, të vetmit që përfitojnë nga joanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët.
 
“Në përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikëve, në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër trafikimit, e njëkohësisht kanë kontribuar edhe në forcimin e kapaciteteve të Kosovës për sundim të ligjit që është prioritet i institucioneve tona. Anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së. Ky anëtarësim do të kontribuonte thellësisht në rritjen e kapaciteteve tona duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike. Të vetmit që përfitojnë nga joanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale trans-nacionale. Është dëshirë e Kosovës dhe ShBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Robinson: ShBA-ja e mbështet sigurinë e Kosovës
 
Ndihmës sekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të ShBA-së, Tod D. Robinson, tha se ShBA-ja është në Kosovë për të ndihmuar e mbështetur atë.
 
“Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që policia po punon, për shërbimet e sigurisë, për qytetarët e rëndomtë kosovarë. Porosia ime do të ishte që ShBA-ja është këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen.”, - deklaroi ndihmës sekretari për Byronë NNSL të ShBA-së, Tod D. Robinson. 
 
Robinson tha se në takim me Osmanin bisedoi edhe për çështjet që lidhen me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 


GYLTENE SINANI