Maqedoni
Gjykimi për rastin në Gjorçe, avokati mbrojtës, Angel Gjeorgjiev: Seanca gjyqësore e tensionuar dhe me ofendime
06.04.2015 18:05
Seanca gjyqësore për vrasjen e maturantit, Angel Petrovski, në lagjen Gjorçe...

Seanca gjyqësore për vrasjen e maturantit, Angel Petrovski, në lagjen Gjorçe ka qenë e tensionuar dhe edhe kësaj radhe nuk ka kaluar pa ofendime nga ana e familjarëve të palës së dëmtuar.
Edhe pse në seancat paraprake nuk munguan fyerjet dhe akuzat ndaj të akuzuarit, Naser Eshtrefit, ato tanimë zgjeruan rrethin e veprimit, duke drejtuar ofendime ndaj familjarëve të të akuzuarit dhe avokatit të tij mbrojtës.
Ndryshe, sot mbrojtja ka filluar shpalosjen e dëshmive për këtë rast, duke filluar me të punësuar të MPB-së në stacionin policor në Gjorçe Petrov, pas të cilës situata u tensionua. Situata e krijuar është stabilizuar vetëm pas ndërhyrjes së policisë, por si pasojë familjarëve nuk i është lejuar pjesëmarrja në gjykim.
Avokati mbrojtës, Angjell Gjeorgjiev, tanimë disa herë me radhë shpreh pakënaqësi drejt trupit gjykues, i cili në këtë rast nuk lejon ekspertizë neuropsikiatrike për të akuzuarin, me të cilën do të dëshmohet se vrasja ka ndodhur në vetëmbrojtje dhe në gjendje afekti.
Trupi gjykues nuk lejon edhe dëshmi të tjera të propozuara nga mbrojtja, siç është dëshmia e babait të maturantit, Angel Petkovski, i cili e ka parë nga afër rastin.
“Dëshmitë materiale mbeten shkopi dhe kosa, që janë gjetur në veturën e babait të të ndjerit. Kosa nuk ka qenë e përgatitur për kositje të barit, siç ata dëshirojnë të na e prezantojnë. Mjeti është një prodhim italian, që shërben për sulm apo mbrojtje. Në Maqedoni nuk mund të blini një prodhim të tillë dhe gjetja e këtij mjeti në makinën e babait të të ndjerit është mjaft dyshues dhe simptomatik. Është e qartë se babai dhe djali kanë pasur qëllim që të hakmerren ndaj të akuzuarit. Nga incizimi shihet se si ata e presin Naserin. Nuk ka qenë ideja që ta kthejnë biçikletën e vjedhur paraprakisht, pasi biçikleta tashmë ishte kthyer, por ideja është e qartë, e pastër si kristali, qëllimi ka qenë hakmarrja ndaj të akuzuarit, Naser Eshtrefit. Ky fakt nuk mund të mohohet dhe kjo shihet qartë nga incizimet”- deklaroi avokati mbrojtës, Angel Gjeorgjiev.
Edhe avokati i familjes Petkovski nuk mbështet propozimet e reja për dëshmi nga pala mbrojtëse. Sipas avokatit, Xvonko Davidoviq, nuk janë të nevojshme dëshmi të tjera, pasi që nuk do të ndryshojnë asgjë.
Edhe përkundër paraqitjes së katër video-incizimeve nga kamerat e sigurisë në Spitalin Evropian të Syve, në asnjë moment nuk është regjistruar moment i vrasjes.
Vrasja e të riut maqedonas një vit më parë nxiti protesta të dhunshme në këtë lagje, ku u thyen dhe dogjën prona dhe lokale të shqiptarëve.
FLORIJE KAMBERI
