Botë
Reshjet e shiut në Shqipëri, vërshime në disa zona
06.04.2015 18:13
Kanë mjaftuar 24 orë reshje për të përmbytur një pjesë të Shqipërisë e për të zbardhur malet e një pjese tjetër...

Më problematike paraqiten zonat e Durrësit dhe Fierit, ku uji i lumit Gjanicë ka dalë nga shtrati.
Derisa Shqipëria e mesme has problemin e përmbytjeve për shkak të reshjeve të shiut, në veri problematika lidhet me reshjet e dëborës. Edhe pse zyrtarisht kemi hyrë në stinën e pranverës, trashësia e dëborës në qytetet e Kukësit dhe Krumës është 20 cm, ndërkohë që në zonat malore ka arritur në 45 cm.
Reshje dëbore ka pasur edhe në Korçë, duke arritur në 18 centimetra trashësi.
Në qarkun e Korçës, edhe sot kanë vijuar reshjet e borës, por deri tani nuk ka problem në akset nacionale.
Ndërkohë që në vendet malore trashësia e borës arrin deri në 15 cm., reshje intensive bore ka edhe në Qafë Thanë, Qafë Plloçë dhe në Dardhë.
Përveç të ftohtit, problematike mbetet situata për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Një masiv shkëmbor ka rënë në “Rrugën e Kombit”, ndërsa për zonat e thella malore, autoriteti rrugor shqiptar bën thirrje për përdorimin e zinxhirëve në automjete.
LULJETA NDOKA
