Botë

Ukrainë, Rusia sulmon kapacitetet energjetike

22.03.2024 11:00

Rusia ka kryer valë sulmesh me 12 raketa në rajonin ukrainas të Zaporizhias.....

Rusia ka kryer valë sulmesh me 12 raketa në rajonin ukrainas të Zaporizhias. Një sërë bombardimesh janë kryer në termocentralin bërthamor të Zaporizhias, më i madhi në Evropë, duke shkaktuar dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Në rajonin e Kharkivit, granatimet intensive ruse po ashtu kanë shkaktuar ndërprerje të rrymës dhe furnizimeve me ujë. Autoritete ukrainase bëjnë me dije se termocentrali bërthamor është në prag të ndërprerjes së funksionuari.

“Pushtuesit kryen më shumë se 15 sulme ndaj ndërtesave të energjisë. Qyteti, faktikisht, ka mbetur krejtësisht në terr.”, - deklaroi kreu i Administratës Rajonale Ushtarake në Kharkiv, Oleh Siniehubov.
 
Autoritetet ukrainase thanë se sulmet ajrore ruse kanë zgjatur për më shumë se një orë. Si pasojë e sulmeve, dhjetëra persona u plagosën, pasi rusët goditën infrastrukturën civile duke shkaktuar dëme të shumta. Në mbarë vendin janë vrarë të paktën dy persona dhe janë plagosur 14 të tjerë. Janë shkatërruar shtatë shtëpi dhe 35 ndërtesa të tjera janë dëmtuar.
 
“Ne jemi sërish nën zjarr. Ka të vdekur dhe të plagosur. Janë dëmtuar tre objekte shëndetësore dhe ndërtesa banimi.”, - theksoi guvernatori i Belgorodit, Viaceslav Gladkov.
 
Sipas ministrit të Energjisë së Ukrainës, Herman Halushçenko, ky është sulmi më i madh i kryer së fundi ndaj industrisë ukrainase të energjisë.    
                                                      
“Tani armiku po kryen sulmin më të madh ndaj energjisë së Ukrainës në kohët e fundit. Synimi nuk është thjesht dëmtimi, por tentimi sërish, si vitin e kaluar, për të shkaktuar një dështim masiv në punën e energosistemit të vendit. Fatkeqësisht ka goditje dhe dëmtime në objektet e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në zona të ndryshme. Për më tepër, një nga linjat e transmetimit të energjisë elektrike nga termocentrali bërthamor u ndërpre për shkak të granatimeve. Në disa rajone ka ndërprerje të energjisë elektrike. Kompanitë e energjisë tashmë po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji elektrike. Bëjmë maksimumin për t'i kthyer dritën njerëzve sa më shpejt të jetë e mundur. Armiku nuk mund të frikësohet apo thyhet. E dëshmuam vitin e kaluar, do ta vërtetojmë edhe tani.”, - u shpreh ministri i Energjisë në Ukrainë, Herman Galushçenko, në Fejsbuk. 
 
Sulmet në Kharkiv dhe Zaporizhia ndodhin një ditë pasi kryeqyteti ukrainas, Kievi, u përball me një sulm masiv me dronë dhe raketa, përfshirë balistike, të lëshuara nga Rusia. Kharkivi është qyteti më i dëmtuar si pasojë e bombardimeve. Sulmet në Kharkiv dhe Zaporizhja ndodhën një ditë pasi kryeqyteti ukrainas, Kiev, u përball me një sulm masiv me dronë dhe raketa, përfshirë ato balistike, të lëshuara nga Rusia.
 
BELINDA KOKA ADEMI