Botë

Forca serbe pranë kufirit me Kosovën, Kurti: Serbia provokon me qëllim

22.03.2024 11:17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se mbrëmë, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se mbrëmë, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut.

Kurti ka publikuar një video dhe ka thënë se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Osllare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
 
“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.”, tha Kurti. 
 
Ndërkaq, theksoi se janë duke u vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa shtoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal. Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar.”. 
 
Ndërsa, si kundërpërgjigje ndaj tendencës së Vuçiqit, ambasadori amerikan, Xhef Hovenier, ka thënë se populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga këto deklarata. Ai ka thënë se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s. Por, pas gjithë kësaj, nuk ka pasur reagim të akterëve në Bashkimin Evropian.