Botë

Blinken në Tel Aviv, përpjekje për ndërprerje të konfliktit në Gazë

22.03.2024 13:13

Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritet të votojë sot për një rezolutë të hartuar nga ShBA-ja....

Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritet të votojë sot për një rezolutë të hartuar nga ShBA-ja që bën thirrje për armëpushim në Gazë. Para votimit kyç në këshillin e sigurimit, sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, po qëndron në Tel Aviv për të vazhduar bisedimet e tij me kreun e shtetit izraelit për një armëpushim dhe ndërprerje të luftës në Gazë. 
 
"Ne kemi punuar me zell gjatë ditëve të fundit, madje edhe orët e fundit, për të çuar përpara zgjidhjen tonë. Ne bëmë disa ndryshime shtesë që u kërkuan. Mezi presim ta sjellim rezolutën në votim sa më shpejt të jetë e mundur.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Tomas – Grinfild.
 
Blinken beson se një marrëveshje e re është e mundur, megjithëse operacioni në Rafah mbetet një pengesë. Ndërkohë, Netanjahu i gatshëm të dëgjojë propozimet nga Shtëpia e Bardhë. Për këtë temë, në Pentagon u zhvillua një takim dypalësh mes Austin dhe Gallant.
 
“Sekretari Austin foli me ministrin e Mbrojtjes, Gallant. Ai theksoi nevojën për të konsideruar alternativa ndaj operacionit në Rafah, duke përsëritur qëllimin e përbashkët për të mposhtur Hamasin, por edhe nevojën për të mbrojtur civilët dhe rritjen urgjente të fluksit të ndihmave. Ky takim dypalësh është i ndarë nga takimi i paralajmëruar nga Shtëpia e Bardhë.”, - theksoi zëvendëssekretarja e Shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh. 
 
Derisa po rritet presioni diplomatik për Rafah mbi Izraelin, thirrjet në mbarë botën për një armëpushim të menjëhershëm po bëhen gjithnjë e më të forta. Pas mesazhit të liderëve evropianë nga Brukseli, thirrje janë bërë edhe nga Australia dhe Britania e Madhe. 
 
“Ne do të punojmë së bashku për të stabilizuar Lindjen e Mesme, për të marrë ndihmë për Gazën dhe për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.”, - u shpreh sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Kamerun. 
 
“Qindra mijëra palestinezë janë të uritur. I bëj jehonë komenteve të Davidit për rëndësinë e rritjes së ndihmës humanitare, nevoja që Izraeli ta lejojë atë të hyjë, si dhe rëndësia e përfundimit të menjëhershëm të luftimeve.", - theksoi ministrja e Jashtme e Australisë, Peni Vong. 
 
Ushtria izraelite tha se operacioni në spitalin “Al-Shifa” po vazhdon. Ata pretendojnë se kanë marrë informacione të rëndësishme të inteligjencës nga terroristët e arrestuar. OKB-ja ka shtuar paralajmërimet se uria është e pashmangshme në pjesën veriore të Gazës, përderisa Izraeli ka lejuar kamionët e autokolonave të hyjnë në veri përgjatë një korridori tokësor.
 
BELINDA KOKA ADEMI