Botë
Integrimi euroatlantik i Kosovës, Hovenier: Urgjencë thelbësore për sigurinë
22.03.2024 13:38
Rruga e vetme e Kosovës për integrim euroatlantik është nëpërmjet dialogut Kosovë-Serbi...

Rruga e vetme e Kosovës për integrim euroatlantik është nëpërmjet dialogut Kosovë-Serbi që zhvillohet në Bruksel. Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, në konferencën e këshillit të ambasadorëve të Kosovës, me temë “Hartimi i rrugës së Kosovës 25 vite pas operacionit të forcave aleate dhe kërkimit për anëtarësim në NATO”. Sipas ambasadorit amerikan, urgjenca e integrimit euroatlantik për Kosovën është e qartë dhe thelbësore për të siguruar stabilitet afatgjatë.
“Urgjenca e integrimit evropian dhe euroatlantik për Kosovën është e qartë, është mënyra për të siguruar prosperitetin dhe liritë demokratike për fëmijët, nipërit dhe mbesat tuaja. Është po ashtu qenësore për të siguruar stabilitet afatgjatë në këtë rajon. Në këtë kontekst dua ta përsëris atë që unë dhe zyrtarët tjerë amerikan e kanë thënë vazhdimisht se rruga e Kosovës për integrim në institucionet euroatlantike është nëpërmjet dialogut të lehtësuar të BE-së. Nuk ka rrugë tjetër.”, - deklaroi ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier.
Ndërkohë raportuesja e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare, Dora Bakojanis, ka rekomanduar në raportin e saj pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
GYLTENE SINANI
