Maqedoni

Është vrarë një mjek në Shkup, MPB: Po punohet në zbardhjen e rastit

22.03.2024 15:12

Këtu në parkingun para poliklinikës në lagjen e Hekuranës në Shkup...

Këtu në parkingun para poliklinikës në lagjen e Hekuranës në Shkup, mbrëmë në veturën e tij është gjetur i vdekur me plagë në trup një 67 vjeçar. Trupin e pajetë e ka gjetur njëri nga djemtë e tij pasi mjeku nuk ishte kthyer në shtëpi në orarin e rëndomtë. Nga poliklinika në lagjen e Hekuranës, thonë se nuk kanë informacione për incidentin pasi mjeku i ndjerë nuk ishte i punësuar në këtë poliklinikë, por kishte marrë me qira një hapësirë të poliklinikës, ku ushtronte profesionin e mjekut të përgjithshëm.
 
Djali i viktimës menjëherë e ka njoftuar ndihmën e shpejtë, e cila e ka konstatuar vdekjen e 67 vjeçarit. 
 
“Gjatë ndërrimit të natës, ekipet e ndihmës së shpejtë kanë pranuar një thirrje. Kalimtar rasti ka lajmëruar që një person është therur me thikë përafërsisht në ora 23:11. Ekipet shpejt kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe në vend kanë konstatuar që personi ka ndërruar jetë, pastaj është konfirmuar se është mjek amë. Nga plagët që i ka marrë me thikën në hapësirën e toraksit apo gjoksit, plagët kanë qenë fatale. Për të nuk dihen arsyet se përse ka ndodh kjo, besoj informacione më të hollësishme do të merren nga policia. Faktikisht duhet të rregullohet me ligj që sulmi i një mjeku të llogaritet sulm i një personi zyrtar dhe duke e pasur parasysh atëherë se qytetarët do të kenë më shumë kujdes kur të vendosin të sulmojnë një person.”, - deklaroi mjeku, Rihad Rexhepi.
 
Në vendin e ngjarjes, përveç policisë ka dalë edhe prokurori kujdestar, të cilët po punojnë për zbardhjen e rastit.
 
“Mbrëmë në orën 23:00 në SPB-Shkup është paraqitur se para parkingut në poliklinikën e Hekuranës, në veturën e tij “KIA” është gjetur 67 vjeçari me plagë në trup. Ai u gjet nga djemtë e tij i u gjet nga djemtë e tij, sepse nuk ishte kthyer në shtëpi pas punës. Mjeku nga ndihma e shpejtë konstatoi vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupi është dorëzuar për obduksion dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.”, - theksoi zëdhënësi në MPB, Toni Angellovski.
 
Organet hetuese po kryejnë hetimet, ndërsa policia është vënë në kërkim të kryerësit të vrasjes nga i cili mund të mësohet edhe motivi. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI