Maqedoni
Zgjedhjet parlamentare, partitë drejt finalizimit të listave për deputetë
22.03.2024 15:25
Kalkulimet e partive politike për bartësit e listave për deputetë për zgjedhjet e 8 majit vazhdojnë akoma....

Kalkulimet e partive politike për bartësit e listave për deputetë për zgjedhjet e 8 majit vazhdojnë akoma. Të fokusuar kryesisht në diskursin e zgjedhjeve presidenciale, jo të gjitha partitë politike kanë publikuar emrat e bartësve të listave. LSDM-ja do t’i njoftojë bartësit e listave në kongresin partiak të së shtunës, ndërkaq VMRO-DPMNE-ja deri më tani është përcaktuar vetëm për bartësin e listës zgjedhore në njësinë numër 5, ndërkaq për të dielën paralajmërojnë promovim të programit.
“Sa i përket bartësit të listës në njësinë zgjedhore numër 5 mund ta vërtetoj, Gjorgjija Sajkoski, sekretar i përgjithshëm në VMRO-DPMNE. Vlerësoj se kemi sjellë vendim të shkëlqyer.”, - deklaroi Aleksandar Nikolloski nga VMRO-DPMNE.
Në 6 njësitë zgjedhore bartësit e listës deri më tani i ka përcaktuar lëvizja “E di” e Maksim Dimitrievskit.
“Bartës liste në njësinë zgjedhore numër 6 është Nebojsha Zaharievski. Bartës liste në njësinë zgjedhore numër 5 është Vesna Bendevska, bartës liste në njësinë zgjedhore numër 4, Mile Cekov, bartës liste në njësinë zgjedhore 3, Pavle Arsovski. Në njësinë zgjedhore numër 2, bartës liste është Daniell Stojçevski dhe e fundit, bartës liste në njësinë zgjedhore numër 1 është Boban Karapejovski.”, - theksoi Nikolla Memov nga Lëvizja “E di”.
Zyrtare, deri më tani të listave për deputetë nuk kemi nga BDI-ja me koalicion, edhe pse në opinion përfliten disa emra. Ajo që është e sigurt, listës së Frontit Evropian në njësinë zgjedhore numër 6 do t’i prijë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërsa si bartës liste në njërën nga njësitë paralajmërohet edhe kryeministri aktual, Talat Xhaferi. Ndërkaq opozita e bashkuar shqiptare VLEN tashmë ka bërë të njohur emrat. Bartës në zonën 1 është Izet Mexhiti, në zonën 2 Afrim Gashi, bartës në zonën 6 është Bilall Kasami. Ndërsa në zonën pesë bartësi i listës do të bëhet publik brenda pak ditëve. Listat e kandidatëve për deputetë në Kuvend i dorëzohen KShZ-së nga përfaqësuesit e autorizuar më së voni deri në mesnatë të datës 2 prill, 35 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
