Botë

Liderët evropian: Zgjerimi i BE-së mbetet interes strategjik

22.03.2024 16:19

Zgjerimi i BE-së dhe reformat e brendshme të vendeve kandidate duhet të jenë dy procese që paralelisht do të zhvillohen....

Zgjerimi i BE-së dhe reformat e brendshme të vendeve kandidate duhet të jenë dy procese që paralelisht do të zhvillohen. Ky është mesazhi i liderëve evropian. Në mbledhjen e fundit këtë verë, ata do të miratojnë konkluzionet e udhërrëfyesit për punën e ardhshme të BE-së. Zgjerimi i BE-së mbetet interes strategjik, thonë liderët e BE-së, pasi që miratuan vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën.
  
“Morëm vendim që të fillojmë negociatat me Bosnjë dhe Hercegovinën, kërkuam që komisionari evropian t’i ndërmarrë hapat e nevojshme dhe njëherit shprehëm solidaritet dhe vullnet të bashkëpunojmë me Bosnjë dhe Hercegovinë që në të ardhmen nga gjithë kjo të ketë epilog dhe përparim pozitiv.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel.
 
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen propozon të ndryshohet mënyra e deritanishme me të cilën BE-ja i pranon anëtarët e rinj në BE, ku në vend të plotësimit të tërësishëm të reformave  “gjithçka” ose “asgjë”, Brukseli dëshiron dalëngadalë të zbusë rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku vendet kandidate do të kenë shumë përparësi nga unioni evropian, derisa ata përmbushin tërësisht kriteret dhe reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në familjen e madhe evropiane. Bosnja e Hercegovina i fillon zyrtarisht negociatat me BE-në, pasi që do të miratohet korniza negociuese.
 
“E përshëndes vendimin historik të liderëve me të cilin Bosnja e Hercegovina fillon negociatat me BE-në. Ky vend bëri hapa mbresëlënëse drejt Bashkimit Evropian. Përparim më i madh është bërë për një vit se sa krahasuar me dekadën e fundit. Bosnja e Hercegovina tashmë është tërësisht e harmonizuar me politikat tona të jashtme dhe mbrojtëse. Kemi parë përparim të jashtëzakonshëm gjatë miratimit të disa ligjeve për migrim, dialog dhe pajtim. Shpresoj se vendimi për fillimin e negociatave do të rezultojë edhe me përparim më të madh.”, - theksoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen. 
 
Udhëheqësit evropian përshëndetën përparimin e Ukrainës dhe Moldavisë në zbatimin e reformave dhe bënë thirrje për përshpejtimin e kornizës negociuese. Për konfliktin ruso-ukrainas, liderët kanë vizion të qartë se Moska nuk duhet të shënojë sukses nga kjo luftë dhe se udhëheqësit e saj duhet të mbajnë përgjegjësi për agresionin e tyre kundër Ukrainës. 
 
REXHEP QAMILI