Rezoluta për armëspushim në Gaza, nuk kalon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

22.03.2024 20:45

Draft rezoluta e sponsorizuar nga SHBA...

Draft rezoluta e sponsorizuar nga SHBA për armëpushimin e Gazës nuk ka kaluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
 
Rusia dhe Kina e përdorën veton kundër një rezolute të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila bënte thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës. 
 
Rezolute bënte thirrje për armëpushim gjashtëjavor, mbrojtjen e civilëve dhe lejimin e futjes së ndihmave humanitare për miliona palestinezë në Gazë. Në Këshillin e Sigurimit me 15 anëtarë, 11 votuan për, tre kundër dhe një abstenoi. 
 
“Shumica dërrmuese e këtij këshilli votoi për këtë rezolutë, por fatkeqësisht Rusia dhe Kina vendosën ta përdorin veton”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield. 
 
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, duke folur para votimit, u bëri thirrje vendeve anëtare të mos e votonin këtë rezolutë. 
 
Ai tha se rezoluta ishte “tejet e politizuar” dhe se i jepte dritën jeshile Izraelit për të kryer operacion ushtarak në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, ku më shumë gjysma e 2.3 milionë banorëve janë duke u strehuar në shatorre të improvizuara, pasi i ikën luftës izraelite në veri. 
 
Këshilli i Sigurimit i ka miratuar dy rezoluta për gjendjen e përkeqësuar humanitare në Gazë, por asnjëra nga to nuk bënte thirrje për armëpushim.