Maqedoni

Firmoset Fronti Europian, marrëveshje koalicioni midis katër partive

25.03.2024 14:23

BDI, PDSH, Lëvizja Populli dhe Partia Demokratike Europiane bashkuan forcat në koalicionin Fronti Europian...

BDI, PDSH, Lëvizja Populli dhe Partia Demokratike Europiane bashkuan forcat në koalicionin Fronti Europian. Katër liderët nënshkruan marrëveshje për bashkëvepim parazgjedhor. Ata theksuan se po bashkojnë forcat progresive për të ruajtur orientimin euroamerikan dhe kundërshtuar Rusinë.
 
“Të gjithë kanë vendosur interesat prioritare dhe strategjike që fronti, lëre që të jetë unik, por të jetë i fortë dhe triumfues. Unë nuk dyshoj fare në fitore madhështore që asnjëherë nuk e kanë bërë shqiptarët e Maqedonisë. Do të jetë fitorja më e madhe në historinë e pas pavarësisë të këtij shteti.”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi madje theksoi se në betejën elektorale përjashtojnë opozitën shqiptare, pasi objektiv kanë parandalimin e ndikimit rus përtej kufijve të Serbisë.
 
“Ky bashkim është për ta parandaluar këtë politikë që të zgjatet edhe në Maqedoni. Ky bashkim kërkon prej popullit tonë që ky bashkim të votohet me një numër 30 deputetësh që ne të pamundësojmë politikën ruse të institucionalizohet në Maqedoninë e Veriut.”, tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Bashkëpartnerët tjerë në front, Rexhepi dhe Hoxha të bindur në triumf duke shpresuar në përkrahjen e shqiptarëve.
 
“Jemi më se të bindur që do të bëjmë ndryshimin e duhur sepse e kemi fuqinë politike, ajo e cila meriton me të vërtetë të jetë liga e kampionëve, superliga, më të mirët, njerëzit që do të bartin këtë sukses më së miri.”, tha kryetari i Lëvizja Populli, Skender Rexhepi.
 
“Për dallim nga të tjerët që presin lëmoshën e pushtetit ta fitojnë përmes Mickoskit apo të tjerëve. Ne e kemi të qartë se faktori politik shqiptar, pushtetin e mer nga shqiptarët dhe se adresa jonë është Tirana dhe Prishtina dhe jo selia e VMRO-së.”, tha kryetari i Partisë Demokratike Europiane, Arjanit Hoxha.
 
Nga prononcimet e katër liderëve u la të nënkuptohet se Fronti Europian ka dyert e hapura edhe për bashkangjitje të partive të tjera joshqiptare.
 
MERALE ISMAILI