Botë
Himarë, në pranga edhe Goro zëvendësi i Belerit
25.03.2024 16:38
Bashkia e Himarës nuk ka një drejtues, pasi arrestimit së fundmi të kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro...

Bashkia e Himarës nuk ka një drejtues, pasi arrestimit së fundmi të kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro, i cili zëvëndesonte Fredi Belerin e arrestuar vitin e kaluar për blerje votash. Nën akuzën për shpërdorim detyre, Jorgo Goro do të dalë nesër para gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e Sigurisë.
Goro u prangos teksa pinte kafe me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.
Edhe në rastin e dytë, të dy ata dyshohet se kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mijë metër katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Më pas prona është blerë nga Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së punëve të Jashtme Olta Xhaçka që mori statusin e investitorit strategjik nga qeveria.
Arrestimi i Jorgo Goros erdhi pas kallëzimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, se Goro i Partisë Socialiste kishte tjetërsuar pronën e shtetit.
Nga ana e tij, Beleri është shpallur fajtor për blerje votash në zgjedhjet lokale në Himarë.
LULJETA NDOKA
