OKB, rezolutë për armëpushim në Gaza

26.03.2024 10:12

Këshilli i Sigurimit i OKB-së....

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi dje një rezolutë që kërkon armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës për muajin e Ramazanit.

Turqia e ka përshëndetur miratimin e rezolutës nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Ministria e jashtme turke i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë një qëndrim të bashkuar kundër Izraelit për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Gaza dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez.

Miratimi i një rezolute të tillë ka muaj që po kërkohet, me disa rezoluta të tilla që kanë dështuar për shkak të vetos nga anëtarët e përhershëm të OKB-së, veçanërisht duke përfshirë SHBA-në dhe Rusinë. Anëtari i kabinetit izraelit të luftës Benny Gantz pretendoi se vendimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së “nuk ka asnjë rëndësi operacionale për Izraelin”, duke deklaruar se vendi do t’i vazhdojë sulmet në Gaza. Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në një takim me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant në Washington ka theksuar se janë "kundër operacionit" tokësor në Rafah dhe se për këtë ka alternativa.

Nga ana tjetër njoftohet se të paktën 15 palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmin me bombë që ushtria izraelite kreu ndaj një shtëpie në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.