Nxjerrja e dokumentave personale, Toshkovski: Sot për nesër mund të merret termin
26.03.2024 12:35
Situata me fotografimin për nxjerrjen e dokumenteve personale është normalizuar..

Situata me fotografimin për nxjerrjen e dokumenteve personale është normalizuar, por jo edhe për marrjen e tyre. Qytetarët thonë se kërkesat për procedurë urgjente tanimë funkcionon. Megjithatë, qytetarët kanë vërejtjet e tyre se pse duhet të paguajnë dy herë për dokumente të vlefshme udhëtimi.
“Me procedurë të shpejtuar e mora për 6 ditë.”, tha një qytetar.
“E kam nxjerrë në vitin 2019 përse tani duhet të paguajmë sërish. Me që kanë vendosur ta ndryshojnë emrin duhet që t’i hedhin pasaportat e vjetra dhe qytetarëve tu jepeshin me emrin e ri dhe jo të paguajmë ne me pensione prej 10 mijë denarësh.”, u shpreh një qytetar.
Ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski thotë se termini në mënyrën e shpejtë për fotografim për nxjerrjen e pasaportës mund të bëhet për një ditë. Ai thotë se riorganizimi dhe rritja e kapaciteteve në fushën e shërbimeve administrative po jep rezultate.
“Riorganizimi dhe rritja e kapaciteteve në fushën e shërbimeve administrative po jep rezultate. Nuk pritet më me muaj për të bërë fotografi për pasaportë me procedurë urgjente në Shkup, ndërsa nga sot qytetarët që kërkojnë termin, do ta marrin të njëjtën ditë ose të nesërmen”, thotë Toshkovski.
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri më 14 mars të këtij muaji, numri i kërkesave të pranuara për pasaporta me emrin e ri të shtetit ka arritur në 1.204.191.
GAZMEND KURTISHI
