Shkmëbim zjarri mes Izraelit dhe Hezbollahut

27.03.2024 15:00

Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr...

Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr vdekjeprurës për të dyja palët. Tel Aviv pretendon se është eliminuar një anëtar kyç i një grupi terrorist në Liban. Ndërkohë tensione edhe në bregun perëndimor, teksa luftimet po zhvillohen edhe në Gaza me një ritëm të pandërprerë.

Rafah mbetet cak i sulmeve  të intensifikuara ajrore. Paqeruajtësit shprehen të shqetësuar mbi situatën e tensionuar.

"Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për makthin e mundshëm të mbi 1 milion njerëzve që do të zhvendosen nëse Izraeli vazhdon me operacionet e planifikuara tokësore në Rafah". – tha Koordinatori special për procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Tor Venesland.

Rezoluta e miratuar në OKB forcoi pozicionin e Netanyahut në ofensivën tokësore në qytetin jugor. SHBA hedh poshtë akuzat e Izraelit se rezoluta trimëroi Hamasin dhe dëmtoi negociatat.

“Mund t'ju them se përgjigja e Hamasit është përgatitur para votimit në Këshillin e Sigurimit, jo pas tij. Ne nuk do të përfshihemi në shpërqendrim retorik për këtë çështje, por do të vazhdojmë përpjekjet tona për të liruar pengjet. Gjithmonë kemi besuar se kjo do të arrihet përmes negociatave, jo përmes një procesi të OKB-së" – u shpreh Zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Matthew Miller.

Familjarët e pengjeve kërkojnë marrëveshje sa më të shpjejtë për lirimin e pengjeve.

“Negociatat janë e vetmja gjë që mund të çojë në një marrëveshje reale. Ju nuk mund të ndaloni së negociuari, derisa ka ende pengje në Gaza" – deklaroi Gil Dickman, i afërm i një pengu.

Katari ka konfirmuar se negociatat indirekte mes palëve ndërluftuese po vazhdojnë. Gjithashtu do të vazhdojnë edhe arrestimet e terroristëve në Khan Younis. Inteligjenca izraelite ka konfirmuar vdekjen e dy komandantëve të lartë të Hamasit.

“Sipas inteligjencës, Marëan Isa u vra në një sulm që ne kryem rreth dy javë më parë, së bashku me Razi Abu Tamaa. Marëan Issa, njeriu numër tre në Hamas, është një nga planifikuesit e masakrës së 7 tetorit” – theksoi zëdhënësi i ushtrisë izraelite,  Daniel Hagari.

Hamasi thotë se do të mbajë pengjet derisa Izraeli të pranojë një armëpushim më të qëndrueshëm, të tërheqë forcat e tij nga Gaza dhe të lirojë qindra të burgosur palestinezë, duke përfshirë militantë të lartë. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)