Botë
Himarë, jep dorëheqje kryetari i Bashkisë
27.03.2024 16:56
Nga qelia e paraburgimit, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës ka dhënë dorëheqjen...

Nga qelia e paraburgimit, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës ka dhënë dorëheqjen nga ky post duke i hapur rrugë Këshillit Bashkiak ta zëvendësojë me një prej nënkryetarëve në mbledhjen e 29 marsit. Një situatë absurde në të cilën ndodhet pa faj, e konsideron Goro arrestimin e tij, ndërsa thekson se vetëm ka firmosur dokumentet e përgatitura nga administrata.
“Duke i falënderuar me shpirt të gjithë himariotët, për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqijat që na gjejnë.”, thuhet në letrën e Jorgo Goros.
Letrën e dorëheqjes, pas së cilës Goro është shtruar në spital për shkak se nuk ndjehej mirë, e nis me akuza ndaj Omonias.
“Nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel. Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë.... Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë.”, thuhet në letrën Goros.
Goro u la në burg të martën nga GJKKO i akuzuar për shpërdorim detyre në tjetërsimin e 2 pronave në Himarë.
LULJETA NDOKA
