Një ditë pas bllokimit, Turqia rihap Twitter-in dhe YouTube

07.04.2015 11:20

Turqia ka hequr pas vetëm një ditë bllokadën ndaj rrjeteve sociale Twitter dhe YouTube, të cilat ishin mbyllur për shkak se kishin lejuar publikimin e pamjeve të prokurorit turk, Mehmet Kiraz, të marrë peng me një pistoletë në kokë javën e kaluar nga dy militantë të një organizate terroriste...

Të hënën gjykata bllokoi aksesin edhe për Facebook dhe për 166 faqe të tjera internet, por drejtuesit e Facebook vendosën të fshinin menjëherë pamjet, duke bërë të mundur shfuqizimin e bllokimit brenda pak orësh. Megjithatë, një zëdhënës i kompanisë ka bërë të ditur se vendimi do të apelohet.

Ndërsa bisedimet me dy rrjetet e tjera mjaft popullore zgjatën pak më shumë, duke bërë të mundur aksesimin e tyre nga Turqia vetëm një ditë më vonë.

Marrëdhëniet e shtetit turk me Twitter dhe YouTube nuk kanë qenë shumë të mira, pasi ato janë bllokuar edhe në të kaluarën me urdhër të presidentit Rexhep Taip Erdogan, i cili i konsideroi përgjegjës për përhapjen e mesazheve të dhunës gjatë protestave të vitit 2013.

Një zëdhënës i Erdogan deklaroi të hënën se kërkesa e prokurorisë, e aprovuar nga gjykata, erdhi pasi publikimi i pamjeve të prokurorit ishte interpretuar si shpërndarje e propagandës terroriste.

Prokurori turk mbeti i vrarë gjatë operacionit për shpëtimin e tij më 31 mars, ndërsa pamjet e tij me pistoletë në kokë bënë xhiron e botës.