Botë
Shqipëri, grupi i dialogut shqyrton kodin zgjedhor
28.03.2024 17:34
Grupi i dialogut për ligjet që kërkojnë 84 vota, i ngritur bashkë me komisionet hetimore...

Grupi i dialogut për ligjet që kërkojnë 84 vota, i ngritur bashkë me komisionet hetimore për të rikthyer kuvendin në normalitet, nisi punën zyrtarisht këtë të enjte, por me një prioritet të qartë, ndryshimin e kodit elektoral.
Produkti konkret që nuk u arrit për dy vite të funksionimit të reformës zgjedhore, të cilën Gjiknuri e bashkëdrejtoi me Enkelejd Alibeajn, tanimë do ta tentojë me përfaqësuesit e Rithemelimit.
Grupi i dialogut pritet të mblidhet sërish javën e ardhshme për të hartuar një listë me çështjet prioritare që kërkojnë dialog dhe konsensus të gjerë mes palëve veç asaj të reformës zgjedhore.
Si mazhoranca, ashtu edhe Rithemelimi, do të kenë nga 3 anëtarë, ndërsa edhe pas refuzimit, grupit të Bashës iu la një derë e hapur për të marrë pjesë në diskutime.
“Komisioni e mbaroi afatin nuk arriti gjë. Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat që janë në këtë grup dhe jashtë grupit. Edhe grupi i Bashës ka të drejtën të marrë pjesë në mbledhje. Do këtë transparencë kur të ketë një modalitet pune", u shpreh Damian Gjiknuri.
Për votimin e Amnistisë Penale në Kuvend palët thanë se nuk ishte pjesë e diskutimit në tryezë ndërsa ligji është dërguar për votim dhe socialistët presin konsensus vetëm në seancë për miratim.
LULJETA NDOKA
