Botë
Gazë, Miler: Një operacion i plotë në Rafah, gabim
28.03.2024 17:56
Netanyahu insiston për një sulm tjetër në Rafah, si të domosdoshëm për t’i dhënë fund kontrollit...

Netanyahu insiston për një sulm tjetër në Rafah, si të domosdoshëm për t’i dhënë fund kontrollit të Hamasit mbi enklavën e ngushtë përgjatë Detit Mesdhe, aty ku është zhvendosur një pjesë e mirë e popullatës së Gazës pas fillimit të konfliktit.
Por, me insistimin e Shteteve të Bashkuara, të cilët janë kundër pushtimit të qytetit kufitar, Izraeli vendosi të tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të dërgojë në Uashington strategët e vet të luftës për të diskutuar planet e nisjes së një sulmi tokësor ndaj militantëve të Hamasit në Rafah, në jug të Gazës.
Shtetet e Bashkuara abstenuan nga vënia e vetos ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit që bën thirrje për një armëpushim në Gaza pa kushte për lirimin e pengjeve.
“Një operacion ushtarak në shkallë të plotë në Rafah do të ishte një gabim. Dhe kjo nuk është diçka që ne mund ta mbështesim. Ajo që ne e shohim si opsion është një fushatë e kufizuar që mund të arrijë ende të njëjtat qëllime, e cila do të çonte në humbjen e batalioneve të mbetura të Hamasit në Rafah, pa dëme masive për popullatën civile, pa ndërprerjen e dërgimit të ndihmave humanitare dhe pa rrezik për sigurinë e Izraelit”, u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Netanjahu: Fitorja është e arritshme
Kryeministri izraelit Netanyahu theksoi sërish se ai nuk do të lejojë përkuljen nën presionin ndërkombëtar, por tha se dhe civilët do të mund të ikin nga luftimet.
“Fitorja është e arritshme. Vjen pas disa javësh. Tani ata po na thonë se ne nuk mund ta bëjmë këtë, dhe nëse shkojmë në Rafah do të kemi një fatkeqësi humanitare. Ata thonë se do të kemi 30.000 viktima civilë, por kjo nuk është e vërtetë, thjesht nuk është e vërtetë”, theksoi kryeministri i Izraelit,Benjamin Netanyahu.
Vendet perëndimore vazhdojnë të dërgojnë ndihma humanitare nga ajri për popullsinë e prekur të Gazës. Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi mbrëmë se kishte shkatërruar katër dronë me rreze të gjatë të lëshuar nga Huthit jemenas. Dronët shënjestruan një anije luftarake amerikane në Detin e Kuq.
FITORE DEMOLLI
