ShBA, vdes babai dhe 7 fëmijët, dyshohet për helmim

07.04.2015 12:48

Tetë anëtarë të një familje në Merilend të Shteteve të Bashkuara u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre, pasi policia shkoi të kërkonte kryetarin e familjes që nuk ishte paraqitur në punë...

 Personi në fjalë dhe 7 fëmijët e tij të moshave nga 6 deri në 16 vjeç, u gjetën të pajetë në banesën e tyre. 
 
Një zyrtar i policisë lokale deklaroi se në banesë nuk është konstatuar një hyrje me forcë, ndërsa refuzoi të konfirmonte nëse vdekja kishte ardhur si pasojë e lëshimit të monoksidit të karbonit.
 
Ajo që dihet është se shtëpia furnizohej me energji elektrike përmes një gjeneratori. Do të jetë autopsia e viktimave, që do të kryhet gjatë së martës, ajo që do të hedhë dritë mbi motivet reale të vdekjeve.
 
Ndërkohë, nëna e fëmijëve është njoftuar për vdekjet e familjarëve të saj. Dje, një punonjës i kompanisë ku punonte babai i shtatë fëmijëve telefonoi policinë i shqetësuar për mungesën e kolegut të tij.
 
Agjentët shkuan në shtëpinë e këtij të fundit, ku ishte parkuar një automjet, por kur trokitën në derë, askush nuk u përgjigj. Me ndihmën e një mirëmbajtësi ata hapën derën dhe kur hynë brenda gjetën trupat e pajetë të tetë personave.