Izraeli vijon bombardimet në Siri, 36 të vrarë në provincën veriore të Alepos

29.03.2024 09:17

Të paktën 36 anëtarë të forcave qeveritare...

Të paktën 36 anëtarë të forcave qeveritare siriane janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në provincën veriore të Alepos, tha më 29 mars një monitorues i luftës.

Kreu i Vëzhguesit sirian, Rami Abdel Rahman, tha se bombardimet izraelite po ashtu shënjestruan disa fabrika në al-Safira, dhe shpërthime janë dëgjuar edhe në perëndim të Alepos.

Ai tha se shpërthime po ndodhin ende në Siri, duke shtuar se numri i viktimave pritet të rritet pasi shumë nga të plagosurit kanë pësuar lëndime serioze.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Siri, SANA, duke cituar burime në ushtri, tha se sulmi ka lënë të vrarë dhe të plagosur civilë si dhe personel ushtarak.

Sulmet izraelite në Siri janë intensifikuar që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.