Risi në transportin urban, kartela elektronike për të gjithë autobusët

07.04.2015 14:19

Në shtator të këtij viti do të fillojë mënyra e re elektronike e pagesës së autobusëve në Shkup, ndërsa prova e parë do të realizohet në qershor...

Autoritetet e Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrjes Publike të Transportit u njoftuan për së afërmi me procedurat e instalimit të sistemit të ri të pagesës elektronike. Do të instalohen 500 aparate elektronike dhe njëkohësisht do të unifikohen çmimet e autobusëve. Por, deri në këto momente nuk dihet çmimi i ri i karteleve elektronike.

“Do të ketë tre lloje të pagesës së biletave elektronike. Njëri model është modeli pripejd, të cilin do të mundet çdo qytetarë ta përdorë duke bërë rimbushje dhe të udhëtojë me autobusët e Ndërmarrjes Publike dhe Transportit Privat. Modeli i dytë është kartela personale, e cila do të jetë me fotografi dhe me emër dhe mbiemër, ndërsa modeli i tretë do të jetë si legjitimacion zyrtar, i cili do të jenë i dedikuar për të gjithë punonjësit e NPQ-së”- deklaroi drejtori i NPQ-së, Igor Janushev.

“Qëllimi ynë është të ketë një çmim të unifikuar të transportit, përfshi  edhe atë privat. Punojmë në një sistem ku qytetarët nesër nuk do të kenë më dilema se në cilin autobus do të futen, në privat apo në atë shtetëror. Të gjithë autobusët në të ardhmen do duhen të vijnë në kohë dhe të kenë një çmim të unifikuar”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Paralelisht, nëpër autobusët shtetëror dhe privat do instalohet sistemi për mbikëqyrje automatike të autobusëve, i cili do të mundësojë on-line ndjekje dhe mundësi për t’i informuar udhëtarët për çdo vonesë.

Me këtë sistem është paraparë që shoferëve të autobusëve t’u paguhet shtesë në rrogë për çdo kilometër të kaluar. Është paraparë të vendosen edhe rreth 50 kioske në Shkup për rimbushjen e kartelave elektronike. Investimi në fjalë kap vlerën prej 3 milion eurosh. (Rexhep Qamili, TVM2)