Botë

Konflikti Izrael-Hamas: Dhjetëra të vrarë, në qytetin sirian të Alepos

29.03.2024 15:49

Izraeli vazhdon betejën me grupet militante në rajonin e Lindjes së Mesme...

Izraeli vazhdon betejën me grupet militante në rajonin e Lindjes së Mesme. Në një sulm në qytetin sirian të Alepos, dhjetëra u vranë, duke përfshirë disa anëtarë të grupit libanez Hezbollah. Ministria siriane e Mbrojtjes thotë se disa zona janë shënjestruar.
 
Një komandant i lartë i Hamasit është eliminuar dhe një rrjet 2.5 kilometra tunele nëntokësore që lidhin pjesët jugore dhe veriore të qytetit të Gazës është shpërthyer dhe shkatërruar, tha ushtria izraelite.
 
“Zyrtari i lartë i Hamasit të cilin e eliminuam shërbente si kreu i korpusit të furnizimit të degës ushtarake. Në të kaluarën, ai ishte gjithashtu kreu i sistemit të prodhimit të Hamasit dhe është "baza" e informacionit të organizatës rreth pajisjeve dhe municionit", u shpreh zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari.
 
Gjenerali më i lartë amerikan thotë se administrata e Bidenit nuk i ka dhënë Izraelit të gjitha armët e kërkuara deri sa zhvillon luftën kundër Hamasit në Gaza.
 
Zyrtarët amerikanë kanë qenë nën presion për të përdorur dërgesat e armëve për ta shtyrë Izraelin të rrisë ndihmën humanitare për Gazën dhe të sigurojë mbrojtje më të madhe për civilët, në veçanti derisa Izraeli kërkon të ndjekë batalionet dhe udhëheqjen e Hamasit në qytetin jugor të Rafahut.
 
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të gjatë sigurie me Izraelin. Sigurisht, pas 7 tetorit, punuam shumë për mbështetjen e sigurisë për Tel Avivin, në përpjekjet e tyre për të mbrojtur veten kundër sulmeve të Hamasit dhe sulmeve të ardhshme terroriste. Programet si financimi i huaj ushtarak, shitjet ushtarake, janë të gjitha pjesë e përpjekjeve tona të gjata për të ofruar një avantazh ushtarak cilësor për Izraelin”, theksoi zëdhënësi i Pentagonit gjeneralmajor Pat Ryder.
 
Në enklavën e rrethuar palestineze, kriza humanitare po thellohet. Një numër i madh familjesh jetojnë në kushte të vështira. Disa prej tyre vazhdojnë të kthehen në shtëpitë e shkatërruara me shpresën për të shpëtuar disa nga sendet e tyre personale.
 
“Po kërkojmë gjëra nën rrënoja, si rroba, elektroshtëpiake. “për fat të keq, gjithçka është shkatërruar”, u shpreh banori.
 
Në lidhje me krizën humanitare në Gaza, gjyqtarët nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëruan njëzëri Izraelin të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimet bazë me ushqim, ujë dhe karburant për Gazën pa vonesë.
 
Vendimi u mirëprit nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik, por ata thonë se shpresonin se gjykata do të urdhëronte një armëpushim si një zgjidhje absolute për vuajtjet e popullatës.
 
LEUNORA KALIQI