Botë
Rripi i Gazës, rreth 33 mijë palestinez të vrarë nga fillimi i luftës
30.03.2024 14:04
Izraili ka sulmuar sërish Libanin dhe Sirinë. Tel Avivi pretendon se ka eliminuar zëvendëskomandantin e njësive raketore të Hezbollahut....

Izraili ka sulmuar sërish Libanin dhe Sirinë. Tel Avivi pretendon se ka eliminuar zëvendëskomandantin e njësive raketore të Hezbollahut. Ndërkohë Ushtria izraelite tha se vazhdon të operojë dhe të sulmojë objektivat në Rripin e Gazës. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit thotë se vendi po mbrohet kundër Hezbollahut.
“Kudo që të operojë Hezbollahu, ne do t'i arrijmë. Ata kanë mbi 320 terroristë të vrarë, duke përfshirë ata që i përkasin grupit palestinez dhe Amal, një grup terrorist shiit libanez. Ne do të kërkojmë një çmim të lartë për çdo veprim që vjen nga Libani.”, tha Yoav Galant, ministri i mbrojtjes i Izraelit.
Ndërkohë, kryeministri Netanyahu tha se do të kthehet në tryezën e bisedimeve për një armëpushim me Hamasin. Njoftimi i së premtes shënon një tjetër përpjekje për të arritur një marrëveshje me grupin militant që do t'i jepte fund ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve. Agjencitë humanitare bëjnë apel për lehtësim nga efektet e luftës, shpërndarjen e pandërprerë të ndihmave humanitare, si dhe transferime të sigurta mjekësore të fëmijëve dhe pacientëve që kanë nevojë për kujdes urgjent.
“I kemi dërguar disa thirrje komunitetit ndërkombëtar, OBSH-së, shoqatave për të drejtat e njeriut dhe të drejtave të fëmijëve, në lidhje me rastet spitalore, si rastet e kequshqyerjes dhe dehidrimit. Ne kemi fëmijë, situata e të cilëve ishte shumë kritike dhe për fat të keq kemi mungesë të ushqimit dhe shërbimeve që mund të ofrojmë.”, tha dr. Hossam Abu Safiya, drejtor i një spitali në Gaza.
“Ne arritëm me një nga ekipet tona mjekësore të urgjencës, i specializuar për kujdes paraspitalor. Qëllimi është që dy fëmijë të transfohen në mënyrë të sigurt në Gazën jugore dhe më pas në një vend të tretë për kujdes të mëtejshëm të specializuar.”, tha Luca Pigozzi, koordinator i ekipit mjekësor të urgjencës së OBSH-së.
Numri i të vdekurve nga lufta e Izraelit në Gaza ka shkuar në 32,705, tha ministria e shëndetësisë në një deklaratë, duke shtuar se 75,190 njerëz kanë mbetur të plagosur që nga 7 tetori.
VLORALATIFI TOPOJANI
