SAShK-u jep apel: Nxënësit kërkesat t’i zgjidhin institucionalisht

07.04.2015 14:34

Nxënësit e disa gjimnazeve me mësim në gjuhën maqedonase në Shkup vazhdojnë me bojkotimin e mësimit...

Protestës gjatë ditës së sotme iu bashkëngjitën edhe nxënësit e Shkollës Ekonomike “8 shtatori” në Tetovë. Duke pasur parasysh faktin se kohëve të fundit u paraqitën një numër i madh i plenumeve në opinion, me reagim u paraqit edhe  SAShK-u. Sipas numrit një të Sindikatës, Jakim Nedellkov, SAShK-u konsideron se nxënësit duhet të kthehen në shkollë dhe kërkesat e tyre t’i zgjedhin në mënyrë institucionale.

“Qëndrimi ynë është që nxënësit, duke pasur parasysh edhe faktin që janë të mitur, konsiderojmë se duhet të jenë në bankat shkollore për të vijuar mësimin dhe të gjitha përpjekjet e tyre për të cilat angazhohen t’i zgjedhin institucionalisht, me kryesimin e përfaqësuesve të tyre nga Plenumi i Nxënësve”- deklaroi kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.

Ndërkohë, në komunikatën që avokati i popullit, Ixhet Memeti, ia dërgoi si përgjigje MASh-it thuhet se për reforma cilësore në sferën e arsimit nevojitet analizë e përgjithësuar e gjendjes. Ndryshimet nuk duhet të miratohen shpejt, pa konsultim me opinionin e gjerë, por në mënyrë transparente, përmes debatit publik, duke i inkuadruar edhe të rinjtë, me qëllim që të arrihen marrëveshje të pranueshme nga të gjitha palët nga të cilat do të përfitojnë të gjithë në mënyrë të barabartë, si mësimdhënësit, nxënësit dhe shoqëria në përgjithësi.

Avokati i popullit rekomandon shprehje të lirshme për të gjitha çështjet që u takojnë nxënësve dhe me praktikumin e dialogut me AKA-në nuk do të lihet hapësirë për manipulimin e të rinjve, si dhe do t’u kushtohet kujdes qëndrimeve të tyre në pajtueshmëri me dokumentet ndërkombëtare të ratifikuara nga Maqedonia. (Flutura Latifi, TVM2)